“Edhe vajzën e madhe e martoi me detyrim”/ Vrasja në Durrës, dëshmitë për Pëllumb Metën: Ishte autoritar

Duket se martesa me detyrim ka qenë traditë në familjen e Pëllumb Metës, i cili u gjet i vrarë sot në Shënvlash.
Fqinjët e familjes deklarojnë se 50-vjeçari i ndjerë edhe vajzën e madhe e kishte martuar pa dëshirën e saj. Ata kanë treguar se viktima disa vite më parë kishte martuar me zor edhe vajzën e tij të madhe, në Derven të Krujës.
Pëllumb Meta dyshohet se ka pasur të njëjtin plan edhe për 19-vjeçaren Hygerta, studente në Fakultetin e Ekonomisë, të cilën donte ta fejonte pa dëshirë me emigrantin në Itali. Por 19-vjeçarja e ka refuzuar duke mos pranuar, pasi sipas dëshmisë së saj, dëshironte të vazhdonte studimet dhe të ndiqte ëndrrat e saj.
Ndërkohë një fqinj ka deklaruar se: “Nuk kemi dëgjuar asnjë të shtëna me armë zjarri. Dyshojmë se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në krim”, duke shtuar se dijeni për ngjarjen ka marrë vetëm 3 ditë pas zhdukjes së viktimës.
Gjithashtu edhe gruaja e viktimës ka dëshmuar para hetuesve se 50-vjeçari ka qenë autoritar dhe të gjitha vendimet i merrte pa pyetur askënd.