Kush është “Jaroslav i Urti” dhe pse Zelensky nderoi Ramën me këtë çmim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi kryeqytetin e Shqipërisë për herë të parë pas mbërritjes së tij në aeroportin e Rinasit mbrëmjen e djeshme.
Ditën e sotme ai u prit nga kryeministri shqiptar Edi Rama në zyrën e tij, i cili i dhuroi librin e tij me skica.
Po ashtu, pas firmojses së marrëveshjes për rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë, Presidenti ukrainas nderoi kryeministrin Edi Rama me Urdhrin e Princit ‘Jaroslav i Urti’ gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë.
Por kush është “Jaroslav i Urti”
Yaroslav I Vladimirovich, i njohur më mirë si Jaroslav i Urti (Yaroslav, the Wise) ishte Princi i Madh i Kievit nga viti 1019 deri në vdekjen e tij në 1054. Ai ishte gjithashtu më parë Princi i Novgorodit nga 1010 deri në 1034 dhe Princi i Rostovit nga 987 deri në 1010, duke bashkuar principatat për një kohë.
Si Princi i Madh i Kievit, Jaroslav u përqendrua në politikën e jashtme, duke krijuar aleanca me vendet skandinave dhe duke dobësuar ndikimin bizantin në Kiev.
Ai pushtoi me sukses zonën rreth Estonisë së sotme, duke krijuar fortesën e Yuryev dhe detyroi rajonet e afërta të paguanin haraç.
Jaroslav gjithashtu mbrojti shtetin e tij kundër fiseve nomade si Peçenegët duke ndërtuar një linjë fortesash. Ai ishte një mbrojtës i kulturës letrare, duke sponsorizuar ndërtimin e Katedrales së Shën Sofisë në 1037 dhe duke promovuar veprën e parë të letërsisë së vjetër sllave lindore nga Hilarioni i Kievit.
Pse akordohet ky Urdhër
Urdhri i Princit Jaroslav i Urti është një çmim ukrainas që jepet për shërbime të dalluara për shtetin dhe popullin e kombit ukrainas në fushën e shtetndërtimit, forcimin e prestigjit ndërkombëtar të Ukrainës, zhvillimin e ekonomisë, shkencës, arsimit, kulturës, artit, kujdesit shëndetësor, për bamirësi të jashtëzakonshme, humaniste dhe aktivitete publike.
Urdhri u krijua më 23 gusht 1995 nga Presidenti ukrainas, Leonid Kuchma.
Që nga themelimi i tij në vitin 1995, Urdhri ka qenë urdhri më i lartë i Ukrainës për shpërblimin e qytetarëve të Ukrainës, të huajve dhe personave pa shtetësi.