Protesta e Rithemelimit, Meta dhe Kryemadhi braktisin Berishën

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë braktisur aleatin e tyre Sali Berisha, pasi nuk do të jenë të pranishëm në protestën e Rithemelimit që pritet të mbahet mbasditen e sotme.

Ndërkohë që Berisha ka aktivizuar të tijët për të protestuar, ai do t’i ndjekë nga banesa e tij pasi ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, nën akuzën e korrupsionit për aferën Partizani.

Ajo që vlen për t’u theksuar është edhe prezenca e Gazment Bardhit, i cili së fundmi u është bashkuar simpatizantëve të Berishës në tubimet e zhvilluara thuajse çdo mbrëmje pranë banesës së ish kryeministrit, që prej vendosjes së këtij të fundit në arrest shtëpiak. Bardhi ka ndryshuar qëndrim ndaj Berishës, ndërsa pak muaj më parë ai e sulmonte ish kryeministrin, ndërsa ka hedhur akuza për Gërdecin, përcarjen e demokratëve, betejën me SHBA për interesa personale, etj.

Sakaq, mbi 1 mijë forca të policisë, mes tyre ata të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës do të jenë sot në terren për mbarëvajtjen e protestës të thirrur nga Rithemelimi para kryeministrisë në orën 17:00.

Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Gjithashtu do të jenë në dispozicion, autobotë me ujë në rast se do të ketë incidente.

Disa segmente do të bllokohen 2 orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT