“Shfaqje të shëmtuara të hetuesve të BKH-së në zyrat e shtetit”, Rama: Bashkëpunimi me SPAK, vetëm mbi bazën ligjore

Kryeministri Rama ka kërkuar bashkëpunim vetëm mbi baza ligjore të institucioneve që ka në varësi me strukturat e krijuara nga reforma në drejtësi si SPAK dhe BKH.
“Është e vërtetë po, që duke qenë një njeri që jetoj çdo ditë si mbi gjemba dhe e nis ditën i pakënaqur me veten time, e pastaj e ngrys i pakënaqur me të tërë shtetin, nuk kam se si të mos jem i pakënaqur kur informohem për shfaqje të shëmtuara e krejt të panevojshme, të hetuesve të BKH-së në zyrat e shtetit, pa lajmëruar zyrtarisht, pa ruajtur asnjë minimum etik, pa respektuar gjëkundi faktin e thjeshtë se njësoj si ata në zyrat e tyre edhe punonjësit e tjerë në zyrat e institucioneve të tjera, bëjnë punën e shtetit, kanë planin e tyre ditor, kanë takimet, mbledhjet e angazhimet e tyre zyrtare dhe s’ia kanë borxh as SPAK-ut, as BKH-së e askujt në këtë botë, që arbitrarisht t’iu çakordojë punën e të përhapë jo vetëm në tërë institucionin, po edhe në familjet e tyre, ndjesinë e papranueshme të një represioni psikologjik”, thotë Rama.