‘Zihej me bashkëshortin’, fqinjët flasin për 41-vjeçaren që u vetëvra: I kërkonte të kthehej pranë fëmijëve

Shpresa Kreku, 41-vjeçarja nga Berati që i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, është përcjellë sot për në banesën e fundit.
Banorët dhe fqinjët e saj në fshatin Bilçë, duke folur për mediat thanë se ajo ishte një grua e shkëlqyer, por dyshojnë se ajo mund të ketë patur probleme me depresionin.
Ata thonë se ajo e vuante mungesën e bashkëshortit, pasi ai jetonte në Selanik dhe vinte rrallë në Berat.
“E shkëlqyer, asgjë s’i mungonte. Tani nuk e dimë, do ketë pasur ndonjë depresion se s’ka mundësi”.
“Për mua, me aq sa e kam njohur, është çun përsëmbari. Se nëse kanë patur ndonjë konflikt familjar me njëri-tjetrin, aty nuk di gjë më. Vajza ishte person dhe më erdhi keq kur e pashë në shtyllë. Sesi u erdhi terezia, nuk e di. Burri saj këtu punonte me bojëra, në Greqi nuk e di. Kishin dy fëmijë bashkë. Për mua janë familje e nderuar, të tërë si familje. Kur e dëgjova nuk e besova më”.
Madje ata thonë se çdo ditë, Shpresa zihej me bashkëshortin dhe i kërkonte të kthehej në shtëpi pranë saj dhe fëmijëve.
41-vjeçarja para se të ndërronte jetë i la amanet fëmijët vëllait të saj dhe i kërkoi varrosjen në fshatin e prindërve në Banaj.
