Escobar pas dy orësh takim me Kurtin: Kosova të dëgjojë pak edhe brengat tona…

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka zhvilluar sot një takim dy orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në përfundim të takimit, Eskobar tregoi shkurtimisht për gazetarët atë çka diskutoi me Kurtin.
“Mund të them që patëm një diskutim të mirë. Kryeministri do t’i marrë parasysh disa propozime që i kam bërë sot. Çdo gjë që kemi bërë këto vite ka qenë në favor të Kosovës. E kemi mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike. Kemi qendërzuar përkrah Kosovës. Kosova të dëgjojë brengat tona dhe nuk do të duhej të ishte e vështirë”, tha Escobar.
Më herët, Escobar të mërkurën u takua me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën patën dhe një konferencë të përbashkët për mediat.
Ai tha se SHBA-ja nuk po i kërkon vetëm Kosovës të ndërmarrë vendime të vështira pasi e njëjta gjë, sipas tij, i kërkohet edhe Serbisë.
Duke folur për rregulloren e BQK-së, e cila e ndalon dinarin, Escobar tha se gjatë vizitës së tij do të angazhohet për të gjetur mënyra për të ecur përpara.
I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po vijon sot vizitën e tij në Kosovë.
Ai ka vizituar edhe Manastirin e Deçanit i shoqëruar nga ambsadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Vizita e tij në këtë Manastir vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Kurti bëri të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi pronat e këtij Manastiri.
I dërguari i SHBA-ve ka vizituar edhe Komunën e Pejës ku ka takuar kryetarin Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave nga Gorazhdeci, si dhe të rinjtë nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak në këtë komunë.
Escobar nga atje tha se pa që njerëzit po vuajnë dhe se kanë vështirësi reale për marrjen e pensioneve të tyre.
Për jetesën e serbëve në Kosovë, ai tha se do të bëjë përgjegjëse Prishtinën zyrtare.
Escobar shtoi se serbët në Kosovë dhe të gjithë që jetojnë atje, duhet ta ndiejnë mbështetjen e SHBA-së.
Ai tha se marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi duhet të zbatohet dhe se për këtë do të vazhdohet të punohet.