Fundi i rezistencës gati një dekadëshe? Si e kundërshtonte Kurti me VV-në vendimin për Manastirin e Deçanit

Një qëndrim i Albin Kurti i mbajtur stoikisht për gati një dekadë, duket të jetë zbutur. Vendimin për Manastirin e Deçanit, që e kundërshtoi edhe në opozitë, e edhe tash në pushtet, shefi i Qeverisë së Kosovës raportohet se po i kërkon komunës atje ta zbatojë.
Sipas raportimeve në mediat vendore, kryeministri Kurti ka zhvilluar bisedime me komunën e Deçanit dhe akterët e tjerë, për zbatimin e këtij vendimi. Më 26 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se 24 hektarë tokë dhe pyje përreth, i takojnë Manastirit të Deçanit.
Në po atë ditë, Lëvizja Vetëvendosje do ta bënte reagimin e parë kundër këtij vendimi, me titull: “Kundër faljes së tokave Manastirit të Deçanit”.
Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, ShBA-ja dhe BE-ja, në vazhdimësi prej asaj kohe kanë bërë thirrje që qeveritë ta zbatojnë vendimin.
Me ardhjen e Kurtit në pushtet, dhe sidomos pas aplikimit të vendit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thirrjet veç se u shtuan.
Qysh e kundërshtoi Kurti pushtetar vendimin?
Duke folur në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, Kurti kishte shprehur rezerva për këtë vendim. Kjo rezervë, siç shprehej kryeministri i vendit, lidhej me “vendime të regjimit të Millosheviqit”.
Pra, vendimin që po raportohet se tash po kërkon zbatimin e tij, Kurti e konsideronte si “të regjimit të Millosheviqit”.
“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tone.” – kishte thënë ai.
Natyrisht, kjo nuk ishte hera e vetme që Kurti në pushtet e ka kundërshtuar zbatimin e një vendimi të tillë. Ai kishte deklaruar se “nuk është dashur të merrej vendimi mbi këtë çështje, pa u konsumuar të gjitha shkallët juridike”.
“Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve” – kishte thënë Kurti.
Tetë vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, situate ka ardhur me një pikë tjetër. Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe siç është thënë disa herë, duket që anëtarësimi po kushtëzohet pikërisht me zbatimin e këtij vendimi.
Vlen të theksohet, se edhe raportimet vijnë në kohën, ose pak javë, kur në KiE pritet të diskutohet rreth aplikimit për anëtarësim.
Më shumë rreth vendimit
Autoritetet në Deçan refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit. Pikërisht mbi këto pretendime shpesh thirren edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./Nacionale