“Gërdeci”, Mediu nuk pranon të dëshmojë në SPAK: Do flas pasi të jenë dëgjuar të gjitha palët e dëshmitarët

Ka zgjatur rreth një orë seanca për masakrën e Gërdecit. Ish-ministri Fatmir Mediu, i pandehur për këtë çështje, nuk ka pranuar që të pyetet, nga prokurorët e SPAK.
Në një deklaratë për mediat Mediu është shprehur se do të përgjigjet në fund të procesit, pasi janë dëgjuar të gjitha palët e dëshmitarët.
“Po Znj.Gjyqtare pranoj tu përgjigjem çdo pyetje të prokurorëve apo pyetjeve tuaja, por do ta bëj këtë në fund të këtij procesi, mbasi të jenë dëgjuar gjithë dëshmitarët e palëve dhe të jenë shqyrtuar të gjitha aktet dhe provat shkresore”, ka thënë Mediu në gjykatë.
Mediu u shpreh se nuk ka bërë asnjë veprim të paligjshëm e se nuk ka asnjë provë që ta implikojë. Seanca tjetër është thirrur me datë 17 mars.