Grabitja që nxorri “zbuluar” korrupsionin, pastruesja e Alda Klosit dhe djali i saj dalin para gjykatës

Pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi, kanë dalë sot para togave të zeza. Në seancën e sotme, Gjykata penale pritet të japë vendimin me konkluzionet përfundimtare të prokurorisë.
Rozeta Dobi akuzohet se vodhi një shumë të madhe eurosh në banesën e Alda Klosit, ish-zyrtares së lartë, bashkëpunëtore dikur e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Në këtë krim ajo kishte bashkëpunëtor edhe djalin e saj, Havier, teksa kjo ngjarje, çoi para drejtësisë dhe vetë Klosin, për shkak se nuk mund të justifikonte burimin e parave të vjedhura. Ndërkohë, kjo e fundit nuk është paraqitur sot në seancë.
Dy javë më parë, Klosi dhe sanitarja u ballafaquan me njëra-tjetrën këtu në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë rimarrjes në pyetje, përballë njëra tjetrës, edhe Klosi edhe Dobi këmbëngulën versionin paraprak që kanë dhanë në polici.
Ish-zyrtarja i qëndron alibisë se shumën prej 120 mijë euro e 30 mijë dollarë ja vodhi Rozeta Dobi, të cilën e kishte punësuar prej pesë vitesh. Por sanitarja ka insistuar se jo vetëm që këtë shumë ja kishte besuar shefja Klosi për ti ruajtur, por edhe vlerën prej 400 mijë euro të gjetura në aspiratorin e kuzhinës i përkasin Alda Klosit.
Kundër njëra tjetrës, të dyja po përpiqen të rëndojnë pozitën e kundërshtares, që nëse vërtetohet se cila është fajtorja, tjetra i shpëton drejtësisë. Megjithatë për ish-drejtoreshën e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj gurët kanë filluar të lëvizin, meqenëse ajo nuk e justifikon dot se ku e gjeti burimin e 120 mijë eurove. Një biznesmen ka deklaruar se i ka dhënë ai borxh, por edhe ky qëndrim mbetet i dyshimtë për akuzën.
Dobi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim, kurse Klosi për pastrim parash, deklaratë të rreme para policisë dhe fshehje pasurie.