Hera e parë që ndodh, Berisha hap gjyq në Angli për të hequr non gratan, reagon Home Office

Për herë të parë gjykata më e lartë e emigracionit në Angli SIAC (Komisioni Special i Apeleve të Emigracionit) që prej krijimit të saj në vitin 1997, është duke shqyrtuar kërkesën e një politikani.
Ai është Sali Berisha, i shpallur Non Grata nga Anglia në vitin 2022 për korrupsion dhe lidhje me krimin.
Gazetari Muhamed Veliu, raporton se Berisha në sekret të plotë ka pajtuar një kompani avokatore për këtë proces, nisur paraditen e kësaj të marte.
Gjatë katër ditëve në vijim – thekson gazetari – kompania avokatore londineze Zaiwalla and Co së bashku me përfaqësuesin ligjor Fergus Randolph KC, do t’i paraqesin kësaj gjykate, argumentet se sipas tyre, vendimi për ndalimin e hyrjes të Berishës në Angli është i padrejtë.
Avokatët janë duke kundërshtuar vendimin e firmosur nga ish sekretarja për punët e brendshme Priti Patel.
Në çelje të procesit, avokati i Berishës ka deklaruar se “kjo është një çështje e jashtëzakonshme mes një udhëheqësi të një opozite dhe një vendi europian” dhe se sipas tij vendimi për Berishën “u mor vetëm bazuar në pretendime të mediave të huaja“.
Ndërkohë pala e paditur ministria e punëve të brendëshme Home Office deklaroi se: “Qeveria e Britanisë së Madhe ka si prioritet sigurinë e vendit dhe e bën këtë edhe duke promovuar sigurinë, prosperitetin dhe shtetin ligjor në të gjithë botën. Britania e Madhe ka qenë një partnere e Shqipërisë duke mbështetur llogaridhënien dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundra kriminalitetit dhe korrupsionit”.
“Do të ishte e tepërt – thotë Home Office – të komentonim më tej teksa procesi në gjykatë është në vijim”.
Britania e Madhe nuk i bën publike emrat e të shpallurve NonGrata por vetë zoti Berisha në një konferencë për shtyp bëri publik këtë vendim marrë ndaj tij.
Nuk dihet sa kushton ky gjyq i hapur nga Berisha, sa dhe me çfarë e paguan ai zyrën avokatore në Angli.