“Jemi gati për luftë bërthamore”/ Kërcënon Putin: Nëse SHBA vendos trupa në Ukrainë…

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin ditën e sotme se Rusia është e përgatitur për luftë bërthamore.
Duke folur për mediat ruse, Putin deklaroi se nëse SHBA do dërgonte trupa në Ukrainë, kjo do të konsiderohej një përshkallëzim i rëndësishëm i luftës. Ndër të tjera, ai shtoi skenari i luftës bërthamore nuk po “nxitej” nga Rusia, dhe se ai nuk e sheh nevojën për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë.
“Nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne jemi, natyrisht, gati. Në SHBA ka mjaft specialistë në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e kufizimit strategjik. Prandaj, nuk mendoj se këtu gjithçka po nxiton drejt saj (konfrontimi bërthamor), por ne jemi gati për këtë.”, tha Putin.
Putin përsëriti se përdorimi i armëve bërthamore ishte i përcaktuar në doktrinën bërthamore të Kremlinit, politika e tij që përcakton rrethanat në të cilat Rusia mund të përdorë armët e saj, e nga ana tjetër shtoi se Rusia ishte gati për bisedime serioze për Ukrainën.
“Rusia është e gatshme për negociata për Ukrainën, por ato duhet të bazohen në realitet – dhe jo në dëshirat pas përdorimit të drogave psikotrope”, tha Putin.
Nëse SHBA do të kryente teste bërthamore, Rusia mund të bëjë të njëjtën gjë, u shpreh ai në intervistën e dhënë.
“Nuk është e nevojshme… ne ende duhet të mendojmë për këtë, por nuk e përjashtoj që mund të bëjmë të njëjtën gjë.”- deklaroi Putin.
Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962 dhe Putini ka paralajmëruar disa herë se Perëndimi rrezikon të provokojë një luftë bërthamore nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë. Rusia dhe SHBA janë fuqitë më të mëdha bërthamore, duke kontrolluar më shumë se 90 për qind të armëve bërthamore në botë.