Kush është personi krah Ramës në këtë foto

Kryeministri Rama foli sot për lajmet mbi kthimin në resorte luksoze për pakicën e kamur, të bazës ushtarake të Sazanit dhe Parkut Kombëtar të Zvërnecit.
Ai sulmoi me fjalorin e zakonshëm kritikët, duke i futur të gjithë në një thes.
Megjithatë është e qartë që një projekt kaq me peshë nuk është çështje ditësh dhe as çështje javësh.
Projektet janë diskutuar prej kohësh, por debati publik si dhe herë të tjera, sërish është shmangur.
Jared Kushner erdhi fillimisht në Shqipëri me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021 bashkë me sheikun Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së.
Ata u kthyen dy vite më pas, në verën e vitit 2023, të shoqëruar edhe nga Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortaku i tij në biznes.
Në prononcimin për Bloomberg News, Kushner pranoi se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri i mori pikërisht nga këta dy persona, Richard Grenell dhe Asher Abehesera.
Ky i fundit është personi në të djathtë të fotos, që qëndron në krahun e majtë të kryeministrit Edi Rama.
Në foton më lart, grupi sapo ka dalë nga muzeu “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë, të cilën e vizituan në verën e vitit të kaluar.
Po ashtu New York Times konfirmoi se kontaktet mes Jared Kushner dhe qeverisë shqiptare janë intensifikuar me ndërmjetësimin e biznesmenit Shefqet Kastrati dhe djalit të tij, Musa Kastrati.
Investimet e tyre përfshijnë një koncesion për të drejtuar aeroportin ndërkombëtar në Tiranë, një zinxhir pikash karburanti në Shqipëri dhe hotele dhe biznese të tjera, sipas bashkëpunëtorëve të biznesit dhe zotit Kushner, shkruajti New York Times.
“Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë koston e ndërtimit dhe si të operojmë në nivel lokal”, u shpreh Jared Kushner në prononcimin e itj për median amerikane.
Shkrimi vazhdonte po ashtu duke përmendur faktin se në tetor 2022, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi prej 7.5 milionë dollarësh në Indian Creek, Fla., tregojnë të dhënat e tokës, një pronë që është afër vendit ku jetojnë tani zonja Trump dhe zoti Kushner. Familja Kastrati gjithashtu vitin e kaluar bleu një hotel në seksionin Brickell të Miami për 55 milionë dollarë nga familja mbretërore e Katarit.
Musa Kastrati, në një intervistë, tha se roli që kompania e tij familjare do të luante në projektet shqiptare të zotit Kushner nuk ishte ende i qartë, por ndoshta do të përfshinte ndihmën për ndërtimin e disa prej komplekseve. Z. Kastrati po ashtu konfirmoi se në dhjetor të vitit 2022 ka vizituar Mar-a-Lago, resortin dhe rezidencën e zotit Trump në Florida, me zotin Grenell dhe se gjithashtu ka takuar shkurtimisht zotin Trump kur ish-presidenti mbërriti teksa po darkonin. Kastrati tha se nuk kishte diskutuar për marrëveshjen e mundshme me zotin Trump.