Ngjarja e rëndë në Fier për një “like”: Dy kushërinjtë goditën me thikë 19-vjeçarin dhe shokun e tij që hyri për të shuar sherrin

Katër të rinj janë përfshirë në sherrin që rezultoi tragjik për të riun Grei Bihuci, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë.
Dyshohet se autorët e krimit të rëndë janë dy kushërinjtë, Florjan Muka dhe Klajdi Muka (djem xhaxhallarësh).
Ata kanë goditur me thikë 19-vjeçarin, i cili humbi jetën rrugën në spital, pasi nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra dhe plagosën shokun e viktimës, 20-vjeçarin Olti Serjanaj, që hyri për të shuar konfliktin.
18-vjeçari Florjan Muka u arrestua në vendngjarje ditën e djeshme (11 mars) pas krimit të rëndë, ndërsa kushëriri i tij, Klajdi Muka, 17-vjeç u arrestua ditën e sotme.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur reth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes”, njoftoi policia.
Si ndodhi ngjarja?
Një konflikt i nisur në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve degradoi në përdorimin e thikës. Grei Bihuci, 19 vjeç humbi jetën në spital për shkak të plagëve të shumta. Ai u godit me thikë në qendër të Fierit nga 18-vjeçari Florjan Muka, i cili u arrestua nga policia.
19-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi. Gjatë ditës së djeshme ai ka qenë në shkollë dhe ka bërë vetëm dy orë, duke lënë orët e tjera të mësimit.
Vetëm një orë më pas u shënua krimi tronditës.
Autori i dyshuar Florjan Muka ka qëlluar me thikë 19-vjeçarin Grei Bihuci, ndërsa për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit ka ndërhyrë shoku i tij i cili e shoqëronte.
Burimet nga spitali bëjnë me dije se 20- vjeçari ka hyrë në sallën e kirurgjisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se sherri ka nisur për shkak të ngacmimeve në rrjetet sociale.
Sipas dëshmitarëve, konflikti ka nisur poshtë urës Gjanica në bulevardin “Jakov Xoxa” dhe në përpjekje për të shpëtuar 19-vjeçari ka ecur disa metra i plagosur derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje.