“Nisi me Nanon në Trieste”, ironia e gazetarit: “Nuk është çudi që Berisha të bëjë marrëveshje dhe me Zahon pas 20 vjetësh”

Marrëveshja e re Rama-Berisha është parë në mënyra të ndryshme. Ka që e shohin si dorëzim të opozitës “që u kënaq me dy komisione parlamentare”, të tjerë e shohin qartësisht një komerdare të re për Berishën duke e njohur atë si drejtues të opozitës pasi ishin betuar që nuk ishte më faktor.
Gazetari Skerdi Zaimi thotë se u tentua të shpikej një opozitë e re ndaj vijnë këto pasoja.
“Në kushte normale do të kishim sot një debat parlamentar të zakonshëm të hajdutëve që janë në të dy krahët, pa patur shijen e neverisë së një pazari mes lëtyrash politike, që rrugës bëjnë sikur do të bëjnë qametin në emër të parimeve për demokracinë.
Ja pra ku jemi sot më 2024-n: SHBA-BE dhe PS kundër Berishës që bien dakord që Berisha është prapë opozita. Për çfarë u desh pra e gjithë kjo energji e shpenzuar dhe politikë izolimi? Kur erdhëm në pikën që njohim prapë një të hetuar dhe një non grata si përfaqësues të opozitës?
Nuk është kjo më e çuditshmja dhe groteskja, por fakti se pas çdo dështimi, kryeministri perceptohet se është një lojtar i hollë politik! I hollë aq sa sot bën marrëveshje me atë Berishë që deri më dje e cilësonte si i takonte historisë.
Çfarë është kjo Shqipëri dhe e kujt është?” – shkruan Zaimi.
Ai shton me ironi që kjo histori me Berishën ka nisur 33 vite më parë dhe nuk ka të sosur.
“E megjithatë sa për statistikë ne mund të vëmë në dukje se Berisha e nisi karrierën me një marrëveshje me Nanon në Trieste (që thuhet se është e tillë) dhe e vazhdon sot akoma në pazare me Edi Ramën 33 vjet më pas.
Po pse të mos kemi të drejtën ne të supozojmë se sikur Berisha të jetojë edhe 20 vjet, ai do të jetë duke bërë një marrëveshje me Zaho Ramën, kur ky me siguri do ketë trashëguar lidershipin e të atit nisur nga fakti se është qysh sot pjesë e vizitave shtetërore të z. Rama. Ne shpresojmë – pa u treguar cinik, por disi të dëshpëruar para shëmtisë që shohim – se do të ketë amanet nga babai që Berishën ta nxjerrë në pension…” – ironizon gazetari.