“Nuk shante kurrë dikë nga nëna, ja hera e vetme kur ndodhi…” Rrëfimi i rrallë për Adem Jasharin

Adem Jashari ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë Sulmit në Prekaz.
Sulmi në Kullën e tij në Prekaz nisi në orët e para të mëngjesit të 5 marsit 1998 dhe në të u angazhuan ushtria Serbe, forca të shumta policore dhe transportues të blinduar, të mbështetur nga artileria.
Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 netë. Granatimet vazhduan për 52 orë.
Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë duke luftuar.
Në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare.
Këtij sulmi i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, e cila asokohe ishte vetëm 11 vjeçare.
Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëroi për 62 policë e ushtarë serbë të vrarë në Prekaz.
Kjo masakër dhe qëndresa e pashembullt e familjes Jashari i dha hov luftës clirimtare në Kosovë duke e bërë atë të pandalshme, ndërsa vetë Adem Jashari tashmë ka kaluar në pavdekësinë e historisë.
Për bacën Adem janë thënë shumë por një rrëfim krejt të vecantë ka bërë sot për të në gazetën DITA Bedri Islami, i cili është mik i afërt i famljes Jashari dhe nga organizatorët e parë të UCK.
Islami tregon se Ademi ka qenë shumë fjalëpak.
“Nuk i donte dhe as i duronte fjalët e gjata. Por ndonëse fliste tepër pak, ai e nderonte fjalën” – shkruan Islami dhe shton se Adem Jashari nuk i përdorte kurrë sharjet e rënda, vecanërisht sharjen e zakonshme nga nëna.
“Askush nuk mban mend që Adem Jashari tia ketë thënë dikujt fjalën e rëndë. Për dikë që nuk e donte ai thonte veç “HAJT HUP ATY”, si për të dashur ta bënte të paqenë personin që nuk e dëshironte. Por fjalën e rëndë nuk i a thoshte” – tregon Bedri Islami.
Ka ndodhur veç njëherë dhe ka ndodhur pikërisht gjatë njërit prej rrethimeve të Kullës nga serbët.
Ka qenë rrethimi i parë, në 30 dhjetor 1991.
Gjatë gjithë rrethimit Ademi, – si ka rrëfyer më pas vëllai i tij, Rifati, – ka folur vetëm dy herë.
Herën e parë i tha të vëllait “Veç mos e lësho frontin aty”.
Herën e dytë, foli kur policët serbë kishin arritur të hynin në oborr. Menjëherë ka hapur zjarr mbi ta.
Dhe aty ka sharë në atë serbishten që ai e dinte fare pak: “Ku po shkoni he nënën çetnikëve ua BIIP…..”.
Ka bërtitur dhe për nja 4-5 minuta aty ka shkuar veç flakë e verdhë plumbash – tregon Islami në gazetën DITA.