“Nuk ua falim”/ Mazhoranca injoron zhurmën dhe voton projektiligjet, Bardhi: Po falsifikoni votimin

Ashtu si në eseancat e mëparshme parlamentare, edhe sot mazhoranca ka vijuar të votojë rendin e ditës, pavarësisht se në sallë “Rithemelimi” shkakton kaos dhe zhurmë.
Ndërkohë që Zëvendës kryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj po drejton votimin e çështjeve në rend të ditës, deputeti Gazment Bardhi e ka akuzuar se po kryen vepër penale pasi në sallë nuk ka kuorum të mjaftueshëm.
“Po falsifikon votimin! Ke 68 deputetë në sallë. Po kryen vepër penale. Po shkel Rregulloren, neni 55 pika 4. Po shkel Kushtetutën. S’keni kuorim. Nuk ua falim këtë”, dëgjohet të thotë ai.
“Që në nisje të seancës, u kujdesa të them që është plotësuar kuorumi i nevojshëm. Pavarësisht sjelljes suaj, ne arrijmë të plotësojmë kuorumin”, u përgjigj Felaj, por nuk bëri të ditur se me sa vota kaluan ligjet.
Seanca e sotme plenare ka nisur sërish me debate dhe kaos, me zhurmues në sfond nga deputetët e opozitës. Kujtojmë se deputetët demokratë Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Saimir Korreshi nuk do marrin pjesë në seancë pasi janë të përjashtuar. Po ashtu, i përjashtuar vijon të jetë edhe deputeti Edi Paloka, i cili ka dënimin më të rëndë pasi dogji rregulloren e Kuvendit.