Prokuroria jep pretencën 2 vite e 6 muaj burg për Alda Klosin

Ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për Alda Klosin, ish-zyrtaren e Ministrisë së Rindërtimit dhe të Ministrisë së Financave.
Kjo e fundit akuzoi pastruesen e saj për vjedhjen e rreth 500 mijë eurove në banesën e saj, por këto para, nuk arriti që t`i justifikonte dot.
Si pasojë, prokuroria ka kërkuar 2 vite e 6 muaj burg për Klosin, ndërkohë që nga gjykimi i shkurtuar përfiton dhe uljen e dënimit me 1/3.
“Kemi kryer edhe analizën financiare për Alda Klosin, rezulton se shume e parave e vjedhura në banesë nuk rezulton të provohet me burime të ligjshme. Klosi ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe është zbuluar një apartament dhe një garazh në pronësi të ish-bashkëshortit të Alda Klosit. Paralelisht me hetimin penal është duke u zhvilluar dhe hetimi pasurore i Alda Klosit,” thuhet në njoftim.
Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit mori një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove.
Vjedhja e shtëpisë së Klosit u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave.