Rihetim për vrasjen e Pjerin Xhuvanit! Kush janë ekspertët që do të rindërtojnë skenën e krimit (EMRAT)

Është zhvilluar sot në Gjykatën e Apelit seanca për Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2021.
Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur rihapjen pjesërisht të procesit, pasi me 4 Mars pranoi kërkesën e Paplekajt, për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik në vendin e ngjarjes. Mësohet se eksperti i Institutit të Policisë Shkencore Arjan Hanko, dhe 2 ekspertë të pavarur Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, do rindërtojnë skenën e krimit.
Ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, distancën dhe pozicionet nga është qëlluar. Eksperti i Policisë së Shtetit ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në këtë proces, pasi nuk ia lejon rregullorja e punës.
Paplekaj është dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të vitit 2021 pak dite para zgjedhjeve parlamentare. Ai ka kërkuar edhe rikualifikim të veprës penale nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
Prokuroria sot pritet të japë informacion edhe për procedimin e pezulluar për personat e tjerë që kanë qëlluar me armë zjarri në vendin e ngjarjes gjatë përplasjes së grupeve të militantëve të PS dhe PD, mes atyre të ashtuquajtur anëtarë të strukturës së mbrojtjes së votës dhe mbështetësve socialistë.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe 2 ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Alber Nushi.