9-vjeçarja shqiptare “mes 4 rrugëve”/ Nëna e la tek familja suedeze, babai kërkon depërtimin e saj në Shqipëri

Historia e Adelisës, 9-vjeçares nga Shqipëria që pritet të deportohet në një shtëpi fëmije në Shqipëri vazhdon të bëjë bujë. Mediat suedeze vazhdojnë të trajtojnë rastin, e madje duke përmendur edhe emisionin “Shqipëria Live” kur e zhvilloi këtë temë një javë më parë.
Sa i përket Lisës së vogël, e cila jeton me kujdestarët e saj në Suedi, Paulina dhe Hans Backstrom, deportimi duket i pashmangshëm. Në skenë ka dalë tashmë edhe babai biologjik i Lisës. Ky i fundit ka hapur madje edhe një proces gjyqësor për të fituar kujdestarinë e 9-vjeçares dhe ta sjellë pranë familjes së tij.
Pretendimet e Paulina Backstrom se 9-vjeçarja nuk ka asnjë njeri në Shqipëri ku pritet të deportohet tashmë kanë rënë. Sipas asaj që raportojnë mediat suedeze, Paulina është shprehur se Lisa në Shqipëri ka vetëm një gjysh që sipas saj ka probleme me alkoolin.
Ndërkohë që gjykata (në dy shkallët e para), nuk mundësoi që Lisa të birësohej nga Paulina dhe Hans. Gjykata nuk e sheh si zgjidhje birësimin e Lisës nga prindër suedezë pasi sipas tyre kjo mund të ketë pasoja negative emocionale për vajzën e cila rrezikon të ndikohet negativisht nëse i hiqet e drejta për prejardhjen e saj etnike, fetare, kulturore dhe gjuhësore. Por më kryesorja, birësimi mund t’i shkëpuste përfundimisht lidhjen me prindërit biologjikë. Me daljen në skenë të babait dhe vullnetin e tij për të marrë atësinë e vajzës, deportimi tashmë duket vetëm çështje kohe.
Gjithashtu ekzistojnë disa foto të cilat tregojnë mamanë, babain dhe gjyshen e Lisës që festojnë ditëlindjen e saj në një lokal, prova këto që kërkojnë të dëshmojnë lidhjen që vajza ka pasur me familjen biologjike.
Ditën e sotme, gazetari Ervin Dushi ka deklaruar në “Shqipëria LIVE”, se babai ka hapur një proces gjyqësor duke këkrouar kujdestarinë e saj dhe depërtimin drejt vendit tonë, në mënyrë që të bashkohet me të bijën.
“Vajza tani ndodhet në Suedi. Fëmijën e ka lënë nëna pasi ka deklaruar se nuk ka pasur mundësi ekonomike për ta rritur dhe e ka lënë tek familja suedeze. Babai nga ana tjetër, është përgjegjës për rritjen e vajzës. Ai ka hapur një proces gjyqësor në Shqipëri duke tentuar të marrë fëmijën e tij. Gjykata në vendimin e saj thotë që ka lidhje më të forta në Shqipëri dhe që vajza duhet të depërtohet.
Familja në Suedi kërkon të bëjë adoptimin dhe ka nisur procedurat. Megjithatë, vajza rrezikon të depërtohet sepse ligji i tillë është”– tha gazetari.