Deputetët e Berishës futin në ligjin e Amnistisë, ulje për të dënuarit nga SPAK dhe GJKKO

Në prag të seancës plenare të së enjtes, mazhoranca dhe opozita duket se kanë rënë dakord për një version të ligjit për Amnistinë Penale, që lë hapësirë për ulje dënimi edhe për personat e dënuar nga Gjykata e Posaçme për veprat penale të korrupsionit, mosdeklarimit të pasurisë apo abuzimit me tenderat.
Përmes një amendamenti të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të firmosur nga kreu Gazmend Bardhi, propozohen 6 ndryshime të variantit fillestar të depozituar në Kuvend nga qeveria.
Megjithatë, pika më e diskutueshme lidhet me ndryshimet në nenin 5, ku përfshihen edhe subjekte të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Amendamenti i Bardhit përjashton nga përfitimi një grup funksionesh kushtetuese, të tillë si presidenti, kryeministri, ministra, etj por lejon uljen e dënimit për një seri veprash penale në kompetencë të GJKKO-së për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, gjyqtarë, prokurorë apo persona fizikë të dënuar për korrupsion, abuzim me tenderat dhe të ngjashme.
Ky ndryshim në projektligj u jep ulje me 1 vit e gjysëm burg të dënuarve burra nga Gjykata e Posaçme dhe me 2 vit e gjysëm burg të dënuarve gra dhe të mitur nga e njëjta gjykatë, me kushtin që ata të mos mbajnë apo të mos kenë pasur kur kanë kryer veprën penale funksionet përjashtuese.
Drafti i ri i propozuar nga opozita ndalon uljen e dënimit për një listë funksionarësh e ish funksionarësh të lartë sipas parashikimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale pikat c dhe ç.
Drafti megjithatë nuk e ndalon uljen e dënimit për veprat penale konkrete të parashikuara në pikën a të nenit 75/a, përfshi korrupsionin, mosdeklarimin e pasurisë, abuzimin me tenderat e të ngjashme.
Ekspertë të jurispudencës që folën me BIRN në kushte anonimatit, thanë se drafti ishte i komplikuar, kontradiktor dhe krijonte mundësi për interpretime të ndryshme nga institucionet ligjzbatuese.