Djali i Tom Doshit shkaktoi aksident, por policia e la të ikte pas një telefonate. Ja kush dyshohet se e bëri atë

Drejtori i Policisë Vendore të Lezhës, Alfred Elezi, është marrë në pyetje nga prokuroria, në lidhje me rastin e aksidentit te djalit të ish-deputetit Tom Doshi.
Sipas burimeve, Elezi, të martën e 23 prillit, për rreth 2 orë ka dhënë shpjegime në lidhje me rolin e tij, përballë prokurorit Sabri Kastrati dhe 2 oficerëve të policisë gjyqësore.
James Doshi, djali i ish-deputetit të PS-së, ka aksidentuar një çift bashkëshortesh rreth një muaj më parë më 17 mars.
Burime bëjnë me dije se 24-vjeçari ka përplasur makinën tip ‘Benz’ që drejtohej nga Lizë Jushi, e cila ka mbetur e plagosur nga aksidenti. Lizë Jushi është gruaja e pronarit të hotel ‘Gjuetia’ në Lezhë Viktor Jushit.
Organi i akuzës ka dyshime se ka qenë pikërisht Elezi, drejtuesi që përmes një telefonate ka ndërhyrë te shefi i qarkullimit Ismet Sula, për të favorizuar djalin e Tom Doshit, por kjo pritet të vërtetohet ose të hidhet poshtë edhe pas ekzaminimeve të tabulateve telefonike.