Emigrantët do të shpenzojnë më pak për të dërguar para në atdhe!

Së shpejti emigrantët shqiptarë do të shpenzojnë më pak për t’u dërguar para familjeve të tyre në atdhe. Brenda këtij viti Shqipëria pritet të bëhet pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro. Lajmin e dha ministri i Financave, Ervin Mete nga Podgorica e Malit të Zi, dy ditë pas miratimit të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria është në një fazë të avancuar sa i përket plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA. Banka e Shqipërisë ka miratuar setin e rregulloreve të nevojshme dhe në fund të muajit të kaluar kemi përfunduar procedurën e para-aplikimit”, u shpreh Ervin Mete, Ministër i Financave.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë pjesëmarrja e vendit në SEPA do t’i kursente shqiptarëve deri në 14 milionë euro në vit. Po rruga drejt Zonë së Vetme e Pagesave në Euro nuk është aq e lehtë. Në kuadër të planit të rritjes me vlerë 6 miliardë euro, në negociata për t’u anëtarësuar në SEPA janë dhe shtet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me Bashkimin Evropian, prandaj është me rëndësi që ne të synojmë krijimin e lidhjeve efikase të pagesave ndërkufitare”, shtoi Mete.

Shqipëria pritet të aplikojë për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro në qershor. Paraprakisht kërkesa ka gjetur mbështetjen edhe të institucioneve të Bashkimit Europian.

“Do t’ju mbështesim për të avancuar me procesin, i cili sjell lehtësimin e tregtisë në rajon. Për ne është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit në mënyrë që ata të kenë një rritje të eksporteve dhe të bëhen edhe më atraktivë sa i përket investimeve të huaja”, deklaroi Valentina Superti, përfaqësues e KE në Ballkanin Perëndimor.

Aktualisht Zona e vetme e pagesave në euro, mundëson kryerjen e transfertave në Euro në 36 vende anëtare dhe jo-anëtare të Bashkimit Evropian.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT