EURO 2024 në rrezik! Si po kërcënohet eventi i shumëpritur nga “ultrasit” që duan vetëm dhunë

Teksa na ndajnë pak muaj nga nisja e kampionatit europian të futbollit, ky event i shumëpritur nga të gjithë tifozët është në rrezik.
Por çfarë e rrezikon? Pikërisht tifozët dhe rritja me shpejtësi e huliganizmit mes grupimeve. Sipas ekspertëve, huliganizmi dikur njihej si ‘Sëmundja angleze’, por tashmë kjo frymë është në të gjithë Evropën dhe përhapet përsëri.
Nga Italia në Poloni, Greqia në Serbi, ngritja e të ashtuquajturve ‘Ultras’, të njohur për mbështetjen e tyre fanatike, ka parë që tifozët rivalë të përplasen në sulme gjithnjë e më të dhunshme.
Aq të pafuqishëm janë autoritetet përballë këtyre grupeve të mirëorganizuara, saqë bandat publikojnë hapur pamjet e përleshjeve të tyre në rrjetet sociale. Ndryshe nga huliganët e vjetër të moshës së mesme që kishin bark të madh e pinin birra, sot shumë stërviten në palestra, duke praktikuar arte marciale dhe duke shmangur alkoolin në ditët e ndeshjeve.
Po ashtu, këto grupe funksionojnë me rregulla të qarta për përleshjet, mund të përdoren grushta, gurë dhe thika, por armët nuk lejohen.
Në këtë sfond, në mënyrë të pashmangshme ka frikë në rritje se turneu i kësaj vere Euro 2024, i cili do të mbahet në Gjermani, mund të dëmtohet nga dhuna.
Muajin e kaluar, Home Office njoftoi se më shumë se 1600 huliganë të futbollit anglez dhe uellsian do t’u kërkohet të dorëzojnë pasaportat e tyre në mënyrë që të mos udhëtojnë në Euro. Kushdo që nuk e bën këtë ose më pas tenton të udhëtojë atje përballet me ndjekje penale dhe deri në gjashtë muaj burg.
Nga ana tjetër, në Itali, një investigim i kohëve të fundit nga Sky News, zbuloi një numër të lartë ultrasish, duke përfshirë Marco Ferdico, kreun e një grupi të guximshëm tifozësh që ndjekin Interin në shtëpi dhe jashtë. 38-vjeçari ka tatuazhe të Al Pacino-s në të dyja anët e qafës së tij – njëra që përshkruan Scarface.
Zëvendësi i tij, të cilin ai e quan si ‘ministri i tij i luftës’, aktualisht është i ndaluar nga të gjitha stadiumet e futbollit për 18 vjet për grindje dhe thyerje të qëllimshme të këmbës së një tifozi të opozitës.
Tani ka më shumë se 6,300 njerëz në Itali që janë të kufizuar nga një urdhër ndalimi, një numër që po rritet me shpejtësi. Rreth 40 për qind e këtyre urdhrave janë lëshuar vetëm në vitin 2023, një rritje e konsiderueshme nga numri i dhënë në vitin e kaluar.
Diku tjetër, përpjekjet për të frenuar dhunën e lidhur me futbollin janë përqendruar në luajtjen e ndeshjeve me dyer të mbyllura.
Në fillim të këtij sezoni, Greqia i ndaloi tifozët nga ndeshjet e futbollit të ligës kryesore për dy muaj pas një serie incidentesh të dhunshme dhe një trazirë që besohet të jetë organizuar nga tifozët. Në Turqi, të gjitha ndeshjet e futbollit u pezulluan dhjetorin e kaluar pasi një gjyqtar u godit me grusht në tokë në fushë nga presidenti i një prej klubeve të përfshira.
Tifozët holandezë dhe polakë janë përfshirë gjithashtu në akte serioze dhune, ku ultrasit nga Polonia tani konsiderohen si ndër më të dhunshmit në botë.
Shqetësimi më i dhunshëm në një ndeshje në vitet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar ishte padyshim ai në “Villa Park” në Birmingham nëntorin e kaluar, kur tifozët nga skuadra polake Legia e Varshavës hodhën flakë zjarri ndaj policisë dhe sulmuan kuajt e tyre.
Dhjetëra mijëra tifozë të Anglisë do të udhëtojnë në Gjermani këtë verë për të ndjekur skuadrën e Gareth Southgate në Euro, ku do të luajnë lojëra në grup kundër Serbisë, Danimarkës dhe Sllovenisë. Turneu i fundit evropian që u mbajt në një vend – Francë në 2016 – u ndot nga dhuna.
Huliganët rusë sulmuan tifozët anglezë me karrige dhe shufra metalike në Marsejë me Andrew Bache, 55 vjeç, të rrahur në koma dhe të mbetur i paralizuar. Por Rusia nuk po merr pjesë në Euro 2024 pasi një ndalim ndërkombëtar u vendos për ekipin kombëtar.
Në Euro 2024 fatmirësisht merr pjesë edhe Shqipëria, duke bërë që shumë shqiptarë të jenë në Gjermani në ato ditë. Tifozët kuqezinj nuk njihen për episode dhune si shumë tifozeri të tjera, megjithatë, gjithçka mbetet për tu parë prej 14 qershorit.
Për hir të lojës së bukur, dhuna duhet të qëndrojë larg fushës së blertë, por mbi të gjitha, larg zonave ku do të jenë tifozët.