Misteri i “Sindromës Havana”/ Çfarë e lidh “sëmundjen” e diplomatëve amerikanë me Rusinë

Sindroma Havana ka qenë prej vitesh e mbuluar nga një hije misteri për sa kohë që nuk dihej shkaku i saj, por duket se kjo ka marrë fund. Një raport i ri duket se lidh simptomat nga të cilat vuajtën disa diplomatë amerikanë me Rusinë dhe shërbimet e inteligjencës së Putinit.
“Sindroma Havana”, që e ka marrë emrin nga kryeqyteti i Kubës, Havana, aty ku edhe u zbulua rasti i parë në vitin 2016, preku diplomatë amerikanë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, CIA-s dhe FBI-së. Ata ankoheshin nga marramendje, dhimbje koke, vështirësi në përqendrim dhe një tingull intensiv dhe të dhimbshëm në veshët e tyre.
Raportohet se kjo sindromë lidhet me armë të cilat funksionojnë me valë zanore të cilat janë përdorur nga shërbimet e inteligjencës ruse. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk ka gjasa të fajësohet një fuqi e huaj. Por në vlerësimin e tyre për “incidentet anormale shëndetësore”, të bëra vitin e kaluar, ata nuk dhanë asnjë shpjegim alternativ.
Hetimi i ri pretendon se operativë nga një njësi e inteligjencës ushtarake ruse, e njohur si 29155, mund të kenë shënjestruar trurin e diplomatëve amerikanë me armë energjetike. Raporti thotë se ka prova që vërtetojnë se anëtarë të njësisë ishin vendosur në qytete anembanë botës në momentet kur personeli amerikan raportoi incidente.