Sulmi mbi Bashkinë e Tiranës ka tiparet e një grushti shteti

Nga Asim Bedalli – Botuar në DITA
Për të katërtën herë opozita sulmoi në mënyrë të dhunshme Bashkinë e Tiranës, institucionin me të lartë të pushtetit lokal. Për të pushtuar Bashkinë ata nuk hezituan të përdorin dhunën fizike kundër policisë dhe barrierave mbrojtëse; lëndë piroteknike dhe bombat molotov, duke përflakur hyrjen e saj.
Këto veprime, në kuptimin e gjerë të fjalës, përbëjnë elementë të një grushti shteti. Një nga format e shfaqjes së grushtit të shtetit, është vënia e pushtetit qëndror apo atij lokal nën kërcënim, nëpërmjet protestave të dhunshme, për realizimin e kërkesave të tyre. As më shumë, as më pak se ajo që po bën opozita pa vulë e Berishës dhe Partia e Lirisë e Metës për të rrëzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të zgjedhur në mënyrë të lirë e demokratike nga qytetarët.
Në zgjedhjet lokale të 14 majit të vitit 2023, Erion Veliaj jo vetëm që fitoi, por fitoi me një rezultat të thellë ndaj kundërshtarit të tij. Ai mori 60 mijë vota më shumë se kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” që udhëhiqej nga Berisha. Kandidatin e shohim në krye të sulmit mbi Bashkinë e Tiranës. Po përpiqet të marrë me dhunë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, të cilën nuk e mori dot nëpërmjet votës së qytetarëve të saj.
Në një farë kuptimi, gjatë të gjithë periudhës që Partia Demokratike ka qenë në opozitë, shteti dhe shoqëria jonë janë ndodhur në mënyrë të vazhdueshme nën trysninë e dhunës së tyre, nën kërcënim, që në vetvete përbëjnë elementë të një grushti shteti. Koncepti politik i grushtit të shtetit është përdorimi i dhunës për rrëzimin e një qeverie të zgjedhur me votën e lirë dhe zëvëndësimi i saj me një qeveri tjetër ilegjitime.
Partia Demokratike nuk i ka pranuar asnjëherë humbjet në zgjedhjet e përgjithshme, apo ato lokale, por i ka kontestuar ato që të nesërmen e shpalljes së rezultatit. Strategjia politike e Partisë Demokratike dhe e Berishës pas çdo humbjeje të zgjedhjeve parlamentare ka qenë jo konkurimi në rrugë demokratike, me alternativa, por marrjen e tij nëpërmjet dhunës. I kemi të freskëta protestat e saja përpara godinës së Qeverisë, Kuvendit Popullor, Ministrisë së Rendit dhe institucioneve të tjera të shtetit, pas humbjes së zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke përdorur të gjitha mjetet e dhunës. Nga sulmet fizike kundër forcave të rendit, përdorimin e shkopinjve, shufrave të hekurit, lëndëve piroteknike, flakadanëve e bombave molotov për të pushtuar me forcë institucionet kryesore të shtetit.
I vetmi dallim nga grushti i shtetit i 14 shtatorit te vitit ’98 ishte mos përdorimi i armëve. Por edhe në atë kohë Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, përpara se të kalonin në sulmin me armë kundër institucioneve të shtetit, ndoqën të njejtën strategji që po ndjekin sot. E vunë shtetin dhe institucionet e tija përfaqësuese nën trysninë e vazhdueshme të protestave të dhunshme, për të arritur në 14 shtator 1998, kur kreu kryengritjen e armatosur për pushtimin e institucioneve të shtetit.
Grushti i shtetit që ato konsumuan në 14 shtator ’98 nuk u kurorëzua me sukses, jo për vullnetin politik të Partisë Demokratike e të ideatorit e organizatorit të saj, Sali Berisha, por sepse nuk e njohu faktori ndërkombëtar.
Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike ndaj marrjes së pushtetit. Dhe nuk mund të ndryshojë për sa kohë që ai udhëhiqet nga Sali Berisha dhe filozofia e tij e marrjes së pushtetit me dhunë. Po të ndiqni prononcimet e Berishës në shtyp e para militantëve të tij në asnjë rast ai nuk i bën thirrje forcës së tij politike për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme me alternativa, me një ofertë politike për shqiptarët.
Përkundrazi, thirrja e tij e vetme për militantët e forcës së tij politike është për “revolucion” e “mos bindje civile”, që do të thotë marrje të pushtetit jo në rrugë demokratike, nëpërmjet votës së lirë të popullit, por me dhunë, në mënyrë antikushtetuese. Pjesë e kësaj strategjije ishte edhe dhuna e perdorur nga deputetët e Rithemelimit të Berishës në Kuvendin Popullor, duke hedhur tymuese e flakadanë, shkatërruar e vënë zjarrin karrikeve e tryezave të punës, duke uzurpuar foltoren etj, etj. Ndërsa nga jashtë, militantët të tyre sulmonin për t’u futur me forcë në godinën e Kuvendit.
Ajo që të tërheq vëmendjen është qëndrimi i Pozitës, i Partisë Socialiste për zgjidhjen e situatës anormale në Kuvendin Popullor. Ata nuk iu drejtuan që në fillim Kushtetutës, rrugëve ligjore, akteve e rregullave mbi të ciliat funksionon Parlamenti, por kulisave, marveshjeve opurtuniste, mbrapa shpinës së tij. I njejti qëndrim si ai që mbajti Partia Socialiste në vitin 1998, kur gjithashtu ishte në pushtet, ndaj akteve të dhunes së Partisë Demokratike kundër instituticioneve të shtetit.
Fryma e lëshimeve e qëndrimet oportuniste të Partisë Socialiste, që ishte forca udhëheqëse e Mazhorancës së kohës, i hapën rrugën grushtit të shtetit të 14 shtatorit të vitit 1998.
Cili është rezultati pas marrëveshjes për normalizimin e jetës në Kuvendin Popullor? Vetëm naivët e besojnë se marrëveshja u bë me Gaz Bardhin. Ky i fundit ka kohë që bashkë me grupin e tij të deputetëve është bashkuar me grupin e Rithemelimit të Berishës. Ai zyrtarisht u zgjodh edhe nënkryetar i këtij grupimi. Bardhi ishte interlokutori i Berishës në këte marrëveshje. Këte e dinin mirë edhe Rama e bashkëpunëtorët e tij të afërt që dialoguan me Bardhin e Berishës, pavarësisht çfarë deklaruan publikisht.
Rezultati i vërtetë i saj është njohja edhe zyrtarisht i Berishës si kryetar i Rithemelimit. Defakto ai u faktorizua si një aktor politik në jetën e vendit. Kjo e trimëroi Berishën. Pas kësaj ai po e sfidon shtetin jo më nga dritarja e apartamentit të tij në katin e tetë, por duke pritur e dhënë intervista gazetarëve të huaj, si ajo para disa ditëve në televizionin italian Rai Tre. Kjo u dha guxim edhe militantëve të tij, që ishin kthyer në një grusht njerëzish, të cilët shkonin cdo natë poshtë apartamentit të tij për t’i dhënë zemër vetes dhe Berishës.
Me këte marrëveshje u krijua përshtypja se Partia Socialiste mbylli një vrimë në “gardhin” e pushtetit të saj. Në të vërtetë shtroi rrugën për një vrimë tjetër edhe më të madhe në gardhin e pushtetit të saj. Grupimi i Rithemelimit të Partisë Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha, i cili mori zemër pas marrëveshjes, filloi protestat e dhunshme kundër Bashkisë së kryeqytetit tonë, qendrës më të madhe ekonomike, kulturore e shoqërore të vendit, ku jetojnë mbi një milion banorë të saj.
Është një strategji e rafinuar. Berisha është koshient që sot përballë nuk ka shtetin e vitit 1998, të sapo ngritur, pasi e rrëzoi po ai dhe forca e tij politike në vitin 1997. Edhe populli nuk është më po ai. Ka më shumë pjekuri demokratike. E njeh më mirë edhe Berishën. Ka kaluar disa përvoja të dhimbshme nën sundimin e tij dhe disa të tjera në periudhat që ai ka qenë në opozitë.
Prandaj Berisha e ka rinisur sulmin nga poshtë, kundër pushtetit lokal. Është duke bërë “nxehjen”, për të kaluar më pas në shkallë kombëtare, nëse Partia Socialiste e pushteti i saj vazhdojnë të lëshojnë e zgjidhin situatat e krijuara nga grupi i Rithemelimit të Sali Berishës në rrugë oportuniste, kulisave.
Ajo që po ndodh në Bashkinë e Tiranës i ka të gjitha tiparet e grushtit të shtetit. Kush e nënvleftëson është përgjegjës jo vetëm para Partisë Socialiste, por në radhë të parë para shtetit dhe popullit shqiptar.