A mundet një nënë të lëndojë fëmijët e saj?

Ilva Mile

Nisur nga diskutimet e fundit dhe tronditjen (e justifikuar) të të gjithëve përballë një ngjarjeje sa të dhimbshme aq edhe shokuese, nuk kam asgjë për të thënë specifikisht për tragjedinë në Shkodër (përveç se jam po aq e prekur dhe e tronditur sa të gjithë) pasi e gjej të pavend bërjen e aludimeve mbi një ngjarje që nuk është zbardhur ende tërësisht nga organet kompetente.

Çështja mbi të cilën dua të them disa fjalë nuk është ngjarja specifike por fenomeni në tërësi, një fonemon që nuk dështon të trondisë edhe profesionistët më të rrahur të shëndetit mendor në mbarë botën sa herë ndodh: nëna që lëndojnë fëmijët e tyre. (E persëris që nuk jam në asnjë moment duke aluduar asgjë në lidhje me tragjidinë e fundit për aq kohë sa organet kompetente nuk kanë konfirmuar asgjë, thjesht gjej rastin të flas për fenomenin nga një këndvështrim profesional duke qënë se janë ndezur debate të tilla ditët e fundit).

Një nënë që lëndon apo vret fëmijën e saj bie në kundërshtim me nocionet dhe bindjet që kemi të rrënjosura të një figure të dashur, të duruar, të përkushtuar që është e gatshme të sakrifikojë gjithçka për mirëqënien e të vegjëlve të saj. Dhe është mëse e kuptueshme që kur një ngjarje e tillë ndodh njerëzit të përjetojnë një parehati ekstreme (që në terma psikologjikë njihet si dizonancë konjitive), si pasojë e faktit se bindjet e tyre po sfidohen në mënyrë ekstreme, si mund të pranojmë diçka kaq në kundërshtim me çfarë kemi besuar deri më tani?! Fatkeqësisht, pavarësisht se sa në mohim mund të duam të jemi përballë këtyre fenomeneve, e vërteta është se “filicidi” ose akti i prindërve që vrasin fëmijër e tyre, ndodh. Por sigurisht është shumë më e komplikuar se kaq.

Forma më “e zakonshme” quhet “vetëvrasje altruiste”, ku një nënë beson se nëse fëmija mbijeton, do të vuajë. Vrasja e fëmijës bëhet në “interesin më të mirë të fëmijës”, kur një grua ndodhet në rrethana ekstremisht të vështira. Jo shumë vite më parë, kam lexuar për rastin e një gruaje nga India që kishte emigruar në Europë dhe kishte vrarë vajzën e saj. Profesionistët u munduan që nëpërmjet letrave që ajo i kishte shkruar familjes në Indi të kuptonin më mirë gjendjen e saj mendore dhe u bë e qartë nga letrat sa i ishte shtuar frika dhe paranoia në lidhje me sigurinë e vajzës pasi i duhej ta kthente së shpejti në Indi. Si pasojë, vendosi ta vriste vajzën si një mënyrë për ta “mbrojtur” nga abuzimi seksual që druhej se do i ndodhte fëmijës kur ta kthente në Indi.

Sigurisht nuk duhet lënë pa përmendur edhe depresioni post-partum që është një diagnozë serioze dhe jo shkaka. Nënat me depresion post-partum, në mungesë të mbështetjes së njerëzve që i rrethojnë dhe ndihmës profesionale, raportojnë se “frikësohen për jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe janë të bindura që të tjerët mund t’i bëjnë keq fëmijës nëse ato nuk ndodhen aty”. Kjo është arsyeja pse kur vetëflijohen, flijojnë edhe fëmijët pasi besojnë se kjo është e vetmja mënyrë si ata mund të jenë të mbrojtur.

Sigurisht që një nënë që i merr jetën fëmijës apo fëmijëve të saj duhet të mbahet përgjegjëse për veprimin e bërë por është e rëndësishme që të përpiqemi të kuptojmë edhe gjendjen mendore që qëndron pas këtij veprimi.

Çfarë mund të bëjmë?

Shoqëria, shkollat, komunitetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje fëmijëve që jetojnë në familje ku ka mosmarrëveshje prindërore, ndarje, divorc ose forma të ndryshme të abuzimit. Nënat e reja që hasen me probleme të shëndetit mendor duhet të identifikohen më herët nga familjarët dhe shoqëria si dhe t’i ofrohet mbështetja dhe ndihma e duhur si nënave dhe fëmijëve. Të përpiqemi të kuptojmë se krimet janë të parandalueshme nëse familja, komuniteti dhe shëndetësia, si dhe sistemet ligjore janë vigjilente dhe konsiderojnë gjithmonë primare mirëqenien dhe sigurinë e fëmijës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT