Foto me vrasësin e efektivit në Fier/ Luan Baçi pranon njohjen: Në atë kohë nuk ishte kriminel

Deputeti i “Rithemelimit” Luan Baçi ka reaguar pas publikimit të një fotoje, ku ai shfaqet duke pozuar krah Azgan Mernicës, vrasësit të efektivit Novruz Cenailaj dje në Fier.
Në reagimin e tij Baçi shprehet se foto është realizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, kur PD ngriti disa grupe me simpatizantë, me pretendimin për të ndaluar blerjen e votave. Ndër të tjera, Baçi shton se në atë kohë, i riu nuk ishte kriminel dhe e meritonte të bënte një fotot me deputetin.
“Jam për t’iu dhënë përgjigje shumë gazetarëve e mediave që kërkojnë prononcimin tim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier. Shpreh ngushëllime shumë të sinqerta me gjithë zemër për policin e vrarë. Konfirmoj për të gjitha mediat, si deputet i Qarkut të Fierit, absolutisht njohja ime shumë e madhe, kam shumë foto, video, takime darka me shumë qytetarë demokratë dhe jo vetëm.
Edhe një nga ata, vrasësi i atij polici, ju media që e keni nxjerrë, po iu përgjigjem live, e njoh Azgan Mërnicën. Në 2021 kur ka bërë atë foton me mua nuk ka qenë kriminel, ka qenë qytetar, punëtor, i ndershëm, familjar dhe absolutisht meritonte foton me mua. Ta keni këtë përgjigje këtu, e dënoj veprimin e tij, shpreh keqardhje, do t’iu lutesha kot mundoheni të më presioni me foto të tilla, me thirrje në SPAK, me denoncimi e kallëzimi të hartuara nga patronazhistë.
Po u jap përgjigje këtu, jam Luan Baçi dhe do vazhdoj punën time të ndershme, nuk tërhiqem nga presionet, nga SPAK, nga BKH”, tha Luan Baçi.