I droguar, mori peng fëmijët dhe i terrorizoi me kallashnikov/ Publikohet FOTO e Aleks Markut

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një 40-vjeçar mbante peng në banesë dy fëmijët e tij të mitur dhe qëllonte me kallashnikov.

Pas disa orësh negociata nga RENEA, dy fëmijët, 6 dhe 11 vjeç janë shpëtuar, ndërsa 40-vjeçari Aleks Marku ka rënë në pranga.

Teksa është publikuar edhe foto e 40-vjeçarit, mësohet se hetuesit dyshojnë që Marku e ka kryer këtë akt nën efektin e drogës dhe po hetohen të gjithë elementet e deritanishme për të zbardhur motivin e marrjes peng të fëmijëve të tij të mitur dhe kundërpërgjigjes me armë ndaj policisë.

Kanë qenë banorët e zonës që janë alarmuar pasi dëgjonin të shtënat me armë. Ata kanë njoftuar policinë rreth orës 02:20 të 15 majit, se dëgjoheshin të shtëna me armë në ambientet e një pallati, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Në vendngjarje ka shkuar Policia e Durrësit dhe i ka bërë thirrje që të dorëzohet së bashku me armën, por 40-vjeçari ka vijuar që të qëllojë në ajër. Një prej fëmijëve ka qenë në ballkon dhe kështu është thirrur RENEA për ndërhyrje.  Aleks Marku raportohet se ka qëlluar mbi 15 herë nga dritarja me kallashnikov.

Nga ana tjetër, raportohet se ai kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e cila ishte e pajisur dhe me urdhër-mbrojtje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT