Karshillëk dhe Maskarallëk

Nga Viktor Malaj

“Do të ishte marrëzia më e madhe të pretendosh se njerëzit të cilët, për mijëra vjet, kanë pasur pushtetin për të na poshtëruar, zhvatur dhe shtypur pa iu hyrë gjemb në këmbë, do të bien dakord tani që, me mirësjellje, të pranojnë të jenë të barabartë me ne” – Zhan-Pol Marat (Teoricien politik dhe shkencëtar francez i shek. të 18-të)

Ajo që po ndodh tani me një pjesë të politikës shqiptare është shumë domethënëse për të kuptuar moralin e tyre të zvetënuar, psikologjinë arkaike dhe hipokrizinë e tyre olimpike. Por, mbi gjithçka, për të kuptuar se pretendimet dhe propaganda e pareshtur 34-vjeçare se në sistemin politik ku kemi hyrë janë të gjithë të barabartë përpara ligjit është një mashtrim të cilin realiteti nuk përton ta përgënjeshtrojë çdo ditë.

Në fillim të viteve ’90 këta palaço, demagogë dhe hajna të paparë, dolën nëpër tribuna, sheshe e rrugë duke mallkuar gjithçka të kaluar dhe duke i bërë karshillëk shqiptarit të thjeshtë, shqiptarit punëtor dhe shqiptarit familjar me pretendimet se ata që nuk iu bashkoheshin çetave të tyre politike dhe nuk miratonin erën e qelbur të fjalorit dhe diskursit të tyre pushtetndjellës, nuk ishin demokratë, as përparimtarë e as atdhetarë. Këto cilësi të vyera i zotëronin vetëm ata, dhe ne të tjerët duhej të falënderonim Perëndinë që na i solli nga ndonjë “planet i panjohur” për fatmirësinë tonë dhe ardhmërinë kombëtare.

Mirëpo koha dhe jeta vërtetuan krejt të kundërtën e pretendimeve të tyre dhe të “autobiografisë” së tyre. Pasi populli i njohu dhe filloi të mos iu besonte më fjalëve me premtime të gënjeshtërta dhe, rrjedhimisht, të mos i votonte në shumicë, këta sharlatanë nisën të vënë në jetë serinë e dytë të karshillëkut kundrejt popullit. Përpunuan dhe vunë në zbatim metodat dhe mjetet e falsifikimeve dhe dhunimeve të proceseve zgjedhore duke na dhënë të kuptojmë se, pavarësisht dëshirave, gjykimeve, vlerësimeve dhe votës tonë, ata do të rrinin në pushtet përjetë.

Në serinë e tretë të karshillëkut kundrejt popullit shqiptar, këta njerëz të paskrupuj nisën të na pështyjnë në fytyrë me emisione televizive që na tregonin vilat e tyre moderne, me dhjetëra dhoma dhe banja edhe për qentë e macet, me apartamente luksoze aty-këtu, në mal e në fushë, në qytete e bregdete, ndërsa shumë shqiptarë ishin të pastrehë apo iknin (dhe ikin) nga sytë këmbët në vendet perëndimore për të shpëtuar nga realiteti shqiptar.

Seria e katërt vetëdemaskuese dhe më domethënëse e karshillëkut antipopullor po shfaqet tani kur, si rezultat i njëfarë reformimi të sistemit të drejtësisë, disa, fare pak prej tyre, po thirren në prokurori dhe gjykata të japin llogari për një përqindje shumë të vogël të bëmave kundërligjore, të shpërdorimeve dhe përvetësimeve të pasurisë popullore dhe veprave të tjera korruptive.

Në këto momente, përveç demagogjisë, doli në skenë edhe më dukshëm prepotenca, mospërfillja, zemërimi dhe kërcënimi ndaj organeve të drejtësisë. Deri tani, drejtësia kishte qenë “e tyre”, kishte fytyrën dhe moralin e tyre. Ata ndiheshin të paprekshëm dhe sistemi i drejtësisë shërbente si çekiç kundër të tjerëve dhe si koracë (parzmore) mbrojtëse për ata vetë. Jo vetëm nuk pranuan t’iu përgjigjen thirrjeve të drejtësisë dhe ndjekjes së procedurave ligjore të hetimit dhe gjykimit si çdo qytetar tjetër, por nisën batarenë e fyerjeve, shpifjeve dhe kërcënimeve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që i hetojnë e gjykojnë. Duan të na tregojnë se nuk janë si ne, se janë mbi ne, mbi shtetin, mbi ligjin, se janë vetë Zoti në tokë.

Gjithë sjellja e tyre, sidomos e treshes Berisha-Meta-Kryemadhi, dëshmon se ata as e kanë menduar ndonjëherë veten të barabartë me të tjerët dhe as pranojnë të trajtohen si qytetarë të barabartë. Në përpjekje për të mashtruar turmat lehtësisht të manipulueshme, ashtu siç kanë vepruar prej 34 vitesh, fajësojnë herë kundërshtarin politik brenda vendit dhe herë të tjera “komplotin” ndërkombëtar sorosian apo amerikan për gjendjen e tyre aktuale juridike dhe asnjëherë nuk pranojnë të shkojnë përpara organeve hetimore e gjyqësore për të dhënë shpjegime të argumentuara për akuzat që iu bëhen dhe të paraqitin prova e fakte që vërtetojnë konkretisht dhe juridikisht kundërshtimet e tyre publiko-politike.

Kapadaillëkun, fodullëkun dhe arrogancën e tyre të skajshme i shoqërojnë me fjalorin e “trimave legjendar” thellësisht të paqytetëruar që bind çdo njeri të arsyeshëm se çfarë njerëzish të padenjë na kanë qeverisur e sunduar dhe sa mendjelehtë jemi treguar duke iu besuar fatet e vendit e të popullit dhe duke i veshur ata padrejtësisht me një aureolë lavdie krejtësisht të rreme. Madje, ata shkojnë deri atje sa të pretendojnë se po “persekutohen” për shkak të atdhetarizmit të tyre, se kanë penguar planet për ndarjen e Kosovës (S. Berisha) apo për ruajtjen e sovranitetit kombëtar (I. Meta).

Merreni me mend tani që ata të cilët furnizuan Serbinë me naftë gjatë embargos ndërkombëtare të viteve ’90; ata që, në të njëjtën kohë, burgosnin  drejtuesit e UÇK-së; ata që dolën kundër Marrëveshjes së Rambujesë; ata që mbollën jugun e vendit me varreza ushtarësh grekë dhe që miratuan qëndrimin e përhershëm në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare të një prifti grek; ata që bënë një Marrëveshje antikushtetuese për Kufijtë Detarë me Greqinë dhe që i ofruan popullit të Himarës për drejtues pushteti një terrorist shqiptaro-grek i cili kishte shpallur detyrë parësore të pushtetit të tij  “helenizimin e Himarës” pretendojnë sot se po martirizohen si atdhetarë të pashoq. “Patrioti” Ilir Meta njoftonte se do “Të hapim Konventën Kombëtare me këngën “Për ty Atdhe” me djalin e Mentor Xhemalit dhe e mbyllim në mbrëmje tek “Rruga e Shpresës” me këngën “Moj Serbi murin ta prisha, se më thonë Sali Berisha“.

Në fakt, vargjet e këngës së krijuar nga lumpeni duhej të ishin: Moj Serbi ta prisha murin (e embargos), të solla naftën dhe vajgurin! Nuk do shumë mend për të kuptuar cinizmin e këtyre pretendimeve të atdhetarëve të vetëshpallur që vetëkrahasohen për atdhedashuri dhe trimëri me heronj si Avni Rustemi, Vojo Kushi etj., të cilët vdiqën fukarenj për atdheun dhe jo për të pasur dhjetëra vila e llogari bankare si këta “atdhetarët” e sotëm.

Sali Berisha shfaqet çdo natë nga ballkoni i shtëpisë së vet me pamjen e kufomës që del nga frigoriferi i morgut dhe, pasi fyen e kërcënon sistemin aktual të drejtësisë, iu premton nja njëqind shpirtrave të vdekur që luten tek trotuari poshtë dritares së tij fitore të shpejtë (“edhe dy ditë na ndajnë nga fitorja e madhe”).

Nuk beson mendje-e shpirtvdekuri në atë që thotë, por besojnë mendjevarfërit në ato që dëgjojnë. Pastaj, kur e shikon që qëndrimet e tij nuk miratohen nga asnjë kancelari perëndimore, iu drejtohet ambasadave të këtyre të fundit duke i “sqaruar”: Zemërimi ynë është për qindra miliona të vjedhura (këtë e thotë kumbara i qindra privatizimeve të paligjshme, i 230 milion eurove të firuara vetëm në Rrugën e Kombit dhe personi i shpallur non grata nga qeveritë Anglo-Amerikane për korrupsion madhor- V.M.); për shkatërrimin e pluralizmit (e thotë autori i burgosjes së kryetarit të dikurshëm të opozitës, të shpallur “i dënuar politik” nga Perëndimi, autori i rrahjeve, burgosjeve dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve, si dhe i shpalluri non grata si “minues i demokracisë”- V.M.); zemërimi ynë është për shkatërrimin e drejtësisë (e thotë ideatori i Shkollës së Plepave dhe regjisori i drejtësisë së kalbur që e bëri të pashmangshme Reformën në Drejtësi- V.M.); për rrënimin e zgjedhjeve të lira (e thotë ideatori dhe regjisori i dhunimit të zgjedhjeve të majit 1996, falsifikimit të atyre të 2009 dhe atyre lokale për Tiranën në 2011- V.M.); autoritetet italiane të marrin masat më të forta të sigurisë për gazetarët e RAI3 për t’i mbrojtur nga ndonjë sulm plotësisht i mundshëm hakmarrës i mafias shqiptare që kontrollohet nga Edi Rama (e thotë regjisori i djegies së redaksisë së gazetës “Koha Jonë” dhe i burgosjes, rrahjes dhe gjymtimit të gazetarëve M. Leka., A. Frangaj, Z. Dule, B. Lala ) etj. etj.

Ndërsa Ilir Meta, duke u kacavjerrë nëpër hekura e pemë, për të na provuar forcën fizike të shimpanzesë, pasi atë morale s’e fiton dot më, ashtu si Berisha që thoshte se mosha e tij është thjesht çështje numrash, a thua se shqiptarët ia kanë hequr vizën për shkak të shëndetit të lig dhe jo të ligësisë morale, i vërsulet SPAK-ut dhe drejtuesit të tij Dumani me një fjalor halabakësh.

Duke i bërë karshillëk atij, por më shumë popullit shqiptar me shprehje të tilla:  “Dumani më merr të keqen mua. As më kërcet fare për atë. Po i them Dumanit… pse legen si puna jote jam unë? Injorant! Nuk nxorët mend ju palaço… o Dum Dumani… Dumani të më hetojë dhe unë do e hetoj atë brez pas brezi“.

Për ta shtuar dozën e presionit ndaj organeve të drejtësisë, zotëria që ka qenë kryeministër dhe president vazhdon deklaratat: “Meta është gati t’i bëjë gjyqin SPAK-ut… Unë mbledh dyfishin e 2 marsit përpara SPAK-ut… Ka 300 mijë Vojo Kushë Partia e Lirisë… Ilir Meta nga burgu do ta shkrijë atë celulë kriminale (SPAK-un) o palaço… Një gjë e kam të sigurt: do të jem kryeministri i ri i Shqipërisë, do të bëhem sërish president pas njëzet vitesh… SPAK-u është nën hetim nga unë...”.

Për t’i dhënë më shumë zemër vetes së frikësuar, pohon se “Nuk ekziston asnjë ndërkombëtar në botë që mund të më intimidojë mua“. Para 2-3 vitesh i drejtohej i zemëruar SHBA-së duke u shprehur se “Po deshi të më vrasë Amerika, të gjej rastin kur të jem pas Malit të Dajtit dhe të mos ketë njerëz të tjerë rrotull“. Por një vit më vonë na gajasi me pohimin publik se “Marrëdhëniet e mija me SHBA-në janë të përsosura“. Mirëpo, para dy javësh zotin Dumani e pyeste në mënyrë retorike: “Të kanë thënë ty amerikanët të më fusësh në burg?!”.

Pastaj, gjoja si moskokëçarës, shprehej se “Për atë ‘non-grata’ nuk është problem. Problem është kur të shpall Ilir Meta ‘non-grata’… Vetëm po të më shpallte klubi skocez “Celtic” non-grata do të ndihesha i shqetësuar”. Pra, Meta dhe klubi sportiv skocez janë më të rëndësishëm se SHBA-ja, njësoj si Saliu që thoshte se i mjaftonin trimat e Mamurrasit për ta marrë pushtetin. Të njëjtët kanë për model të njëjtin, Haxhi Qamilin e një shekulli më parë që thoshte se i mjaftonin Peqini dhe Shijaku për të vendosur sundimin.

Këta luftëtarë për ” liri e demokraci ” dhe ” shtet ligjor ” duhet të na tregojnë ne shumicës së popullit, që nuk kemi as pasuri e as pushtet politik dhe as banda politike të vetëshpallur ” vojokushas ” për të rrethuar e sulmuar institucionet e drejtësisë, çfarë duhet të bëjmë dhe si të sillemi kur, për çfarëdo arsyeje, mund të na thërrasë Prokuroria apo Gjykata.

Pa folur për fjalorin e turpshëm të protagonistes tjetër familjare e politike, znj. Kryemadhi e cila deklaroi botërisht: “U them: nuk më rruhet as për burgun, as për SPAK-un!”, duhet vënë në dukje se këta njerëz politikë, ashtu si shumë prej pushtetarëve të sotëm, kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh, kanë gjetur midis nesh jo pak shëmbëlltyra morale të vetvetes që iu shkojnë mbrapa për të njëjtat interesa vetjake që e përdorën ata pushtetin.

Në kushtet kur pushteti aktual po degradon përditë e më shumë, është fatkeqësi kombëtare dhe pafuqi morale e intelektuale e popullit shqiptar që nuk po arrin të frymëzojë, nxjerrë në skenë dhe përkrahë figura të reja politike, shumë më dinjitoze dhe idealiste se kjo shpurë batakçinjsh të përbuzshëm. Guximi me të cilin një tufë grabitësish dhe shpërdoruesish të qindra miliona eurove po sfidojnë, dje dhe sot, moralin popullor dhe sistemin e drejtësisë është këmbanë alarmi për çdo mendje normale dhe ndërgjegje qytetare. Guximi dhe pafytyrësia për të shkuar brenda dy orëve nga trotuari ku ke thërritur për lirimin nga arresti shtëpiak dhe pafajësinë e “të madhërishmit, presidentit të përgjithshëm” Sali Berisha, i akuzuar juridikisht për korrupsion dhe politikisht i shpallur non-grata nga Perëndimi si “minues i demokracisë dhe përkrahës i korrupsionit madhor“, tek sheshi para bashkisë për të kërkuar dorëheqjen dhe burgosjen e kryetarit të bashkisë, pse i janë arrestuar dy drejtorë, janë të përmasave astronomike dhe nuk njohin shoq në histori.

Këta kanë luftuar, ia kanë arritur dhe po përpiqen ende që Shqipëria të ketë një sistem politik ku ata të jenë sundues të përhershëm, të ketë sistem juridik i cili të shpallë kriminelë kundërshtarët e tyre politikë dhe t’ju sigurojë atyre paprekshmërinë e përjetshme. Jo më kot, Ilir Meta shprehej se “Ne jemi për Reformën në Drejtësi që arreston Edi Ramën“.

Ky është koncepti i tyre për sistemin dhe drejtësinë dhe drejtësinë ” e pavarur “. Edi Rama mund ta meritojë të arrestohet një ditë, por, që Shqipëria të ketë drejtësi dhe shqiptarët shpresë të jetojnë në vendin e tyre, duhet të prijnë këta zotërinj të parët drejt burgut dhe pastaj myteberët dhe  sharlatanët e tjerë, djathtas apo majtas. Nuk mund të vazhdohet më me karshillëkun dhe maskarallëkun e një grushti keqbërësish të rrezikshëm. Përndryshe: lamtumirë Shqipëri dhe drejtësi!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT