Operacioni i SPAK/ Shoqërohet në polici Armando Ndreca! Vëllait të deputetit iu gjet stani me kanabis, por Gjykata e liroi
Është shoqëruar në polici vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Ndrecës, Armando Ndreca.
Ndreca është shoqëruar në kuadër të mega-operacionit që po zhvillohet sot në disa qytete të vendit me urdhër të SPAK, teksa bashkë me të është shoqëruar dhe djali i xhaxhait të tij, Elvis Ndreca.
Kujtojmë se Ndreca u arrestua disa javë më parë pasi u gjet në një fermë kanabisi, por u lirua nga qelia më 13 prill. Pavarësisht se prokuroria e Lezhës kërkoi arrest me burg për Armando Ndrecën, gjykata vendosi ta lirojë nga qelia duke u mjaftuar me caktimin e masës “detyrim paraqitje” ndaj tij.
Arrestimi i Armando Ndrecës mësohet se është bërë në kuadër të komunikimeve me telefon që ka pasur me dy të arrestuarit e tjerë Armel Nikduajn dhe Elvis Shpellzain të cilët akuzohen se kishin kthyer një stan në “fermë kanabisi”.
Gjykata e vlerësoi si të paligjshëm ndalimin e Ndrecës, i cili sipas prokurorisë u bë me këmbënguljen e prokurorisë bazuar në përgjimet e bëra ndaj të arrestuarve.