Rama do të mbajë fjalim për çmimin e Karlit të Madh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me zëvendëskancelarin gjerman, Robert Habeck, do të jenë oratorët kryesorë në ceremoninë e ndarjes së çmimit të Karlit të Madh për vitin 2024.
Ky event prestigjioz do të mbahet më 9 maj në sallën e Kurorëzimit të Ndërtesës së Bashkisë së Aachenit.
Që nga viti 1950, çmimi i Karlit të Madh ka nderuar individë dhe institucione që kanë kontribuar në bashkimin dhe përparimin e Evropës.
Ndër fituesit e mëparshëm janë figura të tilla si presidenti ukrainas, Volodimir Zelesnki, presidenti francez, Emmanuel Macron apo Papa Françesk.
Këtë vit, çmimi i jepet kryerabinit Pinchas Goldschmidt, president i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë.
Oliver Rolofs, zëdhënës i eventit, i tha DW-së se “Pjesëmarrja e kryeministrit Rama thekson përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin evropian.”