Samiti në Mal të Zi/ Kurti me kritika: Jemi të pakënaqur, pres njohje defakto dhe dejure…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka nisur me kritika fjalimin e tij në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, në Mal të Zi.
Kurti shprehur pakënaqësi ndaj Bosnje-Hercegovinës, duke thënë se vendi ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime, e dakordësuar 18 vite më parë. Ndër të tjera, ai tha se këtë vit po shënojnë 10 vjetorin e Procesit të Berlinit dhe pret që të kenë një bashkëpunim më të mirë që nënkupton njohjen reciproke defakto dhe dejure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Takimi i tretë i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian është një mundësi e shkëlqyer për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen dhe të diskutojnë se si mund të integrohen më tej duke bërë reforma në vend por në të njëjtën kohë, për të parë se si mund të bëjmë më shumë dhe më mirë me Bashkimin Evropian në kuptimin e përfitimit të programeve mbështetëse nga Plani i Rritjes së BE-së, i cili në të njëjtën kohë do të na ofrojë akses në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Ne do të shënojmë 10 vjet të Procesit të Berlinit këtë vit dhe presim që të kemi një bashkëpunim më të mirë, që nënkupton njohjen reciproke defakto dhe dejure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast më lejoni të shpreh se jemi të pakënaqur me faktin se Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime, për të cilën kemi rënë dakord 18 vite më parë”, tha ai.