Si u zhvatën shqiptarët nga “mikrokreditë”, drama që shkaktuan tek 103 mijë qytetarë

Qindra qytetarë shqiptarë kanë rënë pre e mashtrimit me mikrokreditë, nga disa shoqëri financiare që i ofronin këto shërbime.
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj shpjegoi se si funksiononte kjo skemë në emisionin “Breaking” në Top News, teksa e ka krahasuar me skemën piramidale të vitit 1997.
“Këto shoqëri kanë abuzuar që prej fillimit, që prej licensimit, me natyrën e asaj që duhet të bënin. Ato u krijuan për tu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe në zonat rurale, apo qytetet e vogla ku bankat nuk kanë interes. Duhet të përdornin interesa më të ulëta dhe procedura të lehtësuara për të marrë kredi, në mënyrë që të ndihmonin shtresat në vështirësi ekonomike. Janë piketuar njerëz që nuk kanë mundësi dhe nuk janë të aftë të mbrojnë të drejtat e tyre.
Mashtrimi ka qenë në disa formë, një formë është duke manipuluar dokumentet në emër të personave që kanë mbaruar marrëdhëniet me këto shoqëri, apo edhe persona që kanë ndërruar jetë. Formë tjetër është ajo e presionit për marrjen me forcë të pasurive të paluajtshme të atyre që kanë aplikuar për kredi, duke i shtyrë të marrin kredi të tjera, për të zbardhuar borxhin. Po ashtu, ka ndodhur dhe që pagesat e kredive nga qytetarët i kanë përvetësuar persona të tjerë, duke zhytur në borxh klientin.
Janë skema të ngjashme me firmat piramidale për mashtrimin. Pra, japin kredi për të mbuluar ato që nuk janë paguar dhe e mbajnë sistemi në gjumë.”- tha Gjokutaj.