SPAK në sulm kundër bandave që dalin nga përgjimet e SKY dhe EncroChat

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka kryer një operacion të shtrirë në disa qarqe të vendit për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve ndaj personave të përfshirë në krimin e organizuar, të cilët dyshohen si autorë të ngjarjeve të rënda. SPAK ka deklaruar se publiku do të informohet në lidhje me të dhënat e këtij hetimi i cili bazohet në të dhënat e siguruara nga autoritetet e drejtësisë franceze prej pergjimeve të platformave të koduara SKY dhe EncroChat.
SPAK së fundmi finalizoi një tjetër operacion në korrik të 2023 duke përdorur të njëjtat burime, operacion i cili vuri në pranga biznesmenin Pëllumb Gjoka i shpallur si një investitor strategjik, dy zyrtarë të Policisë së Shtetit i cili një prej tyre ishte Oltion Bistri, ish-shefi i Drejtorisë së Forcës Operacionale, prokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe persona të tjerë.
Dosja hetimore e ardhur nga Franca në drejtësinë shqiptare bëri që Gjoka të arrestohej si një figurë kyçe e nje grupi të krimit të organizuar, përgjegjës për vrasje dhe porositje atentatesh dhe korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë.
Të dhëna të konstatuara nga hetimet për përfshirjen e zyrtarëve të policisë në krimin e organizuar janë bërë shkak për përfshirjen e formularëvë të vetëdeklarimeve për policinë, të një pyetje në lidhje me përdorimin aplikacioneve të mesazheve të koduara të SKY dhe EncroChat.