“A keni ndonjë porosi për vëllain e vogël?”/ Pyetja për Kurtin, Rama: Vëllain e kam në Tiranë

Kryeministri shqiptar Edi Rama ishte ditën e djeshme në Prishtinë, ku mori pjesë në kremtimet për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Ai u prit nga Presidentja Vjosa Osmani, por ajo që ra në sy ishte fakti që nuk u takua me homologun e tij, Albin Kurtin. Gjatë një konference ku ai mori pjesë, u pyet dhe për raportin me Kurtin, por Rama zgjodhi të mos përgjigjej, duke e cilësuar pyetjen një kurth.

“A keni ndonjë porosi për vëllain e vogël, i cili është hera e dytë që nuk po ju pret në konak?”, e pyeti një gazetare Ramën.

 “Vëllain e vogël e kam në Tiranë, është drejtor i klubit ‘Partizani’, Olsi Rama. Ma bëtë pyetjen me shpresën që do më fusni në kurth, po jam mësuar me këto kurthet shumë mirë”– tha kryeministri.

Nga ana tjetër, ditën e djeshme reagoi zyra e Kurtit për arsyet pse nuk u zhvillua një takim mes homologëve. Në një deklaratë, zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, tha se Rama takoi vetëm ata persona me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet.

“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Rama është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, tha Kryeziu

Back to top button
LAJMET E FUNDIT