FOTO/ U vu në pranga në banesën e tij në Shijak, publikohet fotoja e Astrit Avdylajt

Astrit Avdylaj, kreu i një grupi të njohur kriminal në Shijak, është arrestuar sot në banesën e tij, ndërsa gjatë ndalimit i është gjetur një armë zjarri tip pistoletë. Avdylaj ishte në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, i cili synonte goditjen e grupimeve të organizuar kriminale në vend dhe arrestimin e personave të përfshirë në veprimtari kriminale të rënda.

Astrit Avdylaj dyshohet se ka pasur një rol kyç në organizimin e kushteve për vrasjen e Durim Bamit, duke ndihmuar Ervis Marinajn dhe ish-deputetin socialist Arben Ndokën. Komunikimet e regjistruara në aplikacionin “Sky” tregojnë se Avdylaj kishte kontakte dhe bashkëpunim të rregullt me Ndokën dhe ofronte ndihmën e tij për realizimin e planit për eleminimin fizik të Bamit. Për këtë qëllim, Avdylaj i dërgoi nipin e tij, Aldo Avdylajn, dhe Arben Mërkurin te Ndoka.

Pas arrestimit, Astrit Avdylaj është dërguar për hetim te Prokuroria për Krime të Rënda, ndërsa materialet e rastit do të përcillen për zbardhjen e plotë të veprave të tij dhe të përfshirëve të tjerë në skemën e vrasjes.

Ky arrestim shënon një hap të rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit të organizuar në Shqipëri dhe një përpjekje të përbashkët nga autoritetet për të siguruar rendin dhe ligjin në vend.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT