Humbi apelimin për shpalljen “non grata” në Britani/ Çfarë shkruajnë mediat e huaja për Berishën (FOTO)

Humbja e ish-kryeministrit Sali Berisha në Apelimin e Britanisë së Madhe për shpalljen e tij “non grata” ka bërë bujë edhe në mediat e huaja.
Lajmi në disa nga mediat ndërkombëtare i referohet agjensisë ‘Reuter’ e cila shkruan se udhëheqësi i opozitës shqiptare Sali Berisha, ish-presidenti dhe kryeministri i vendit, humbi të hënën apelin e tij kundër ndalimit të hyrjes në Britani për lidhje të dyshuara kriminale.
“Berisha, kreu i Partisë Demokratike kryesore të opozitës në Shqipëri, u përjashtua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2022 për lidhjet e tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilin Berisha e mohon. Ai apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në mars, duke argumentuar se ai u ndalua nga MB në bazë të pohimeve të rreme të paprovuara. SIAC hodhi poshtë ankesën e Berishës në një vendim me shkrim të hënën.”– thuhet në artikull.
Më tej citohet edhe reagimi i Berishës, i cili vijon të pretendojë se kundër tij nuk ka asnjë provë apo fakt.
“Nuk ka asnjë provë apo fakt për ndonjë veprim të kundërligjshëm. Unë mbetem i bindur se rruga e drejtësisë që do të vazhdoj do t’i shërbejë së vërtetës dhe do të godasë korrupsionin transnacional në atë mënyrë që e meriton.”– tha Berisha pas vendimit.
Vendimi për të ndaluar hyrjen e Berishës në Britaninë e Madhe erdhi një vit pasi ai u ndëshkua nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion të dyshuar dhe abuzim me pushtetin.
Berisha, 79 vjeç, përballet me akuza në Shqipëri se ka përdorur ndikimin e tij kur ishte kryeministër midis viteve 2005 dhe 2009 për të favorizuar bashkëshortin e vajzës së tij në privatizimin e tokës shtetërore, të cilat ai dhe vajza e tij e mohojnë.
Ai është vendosur në arrest shtëpiak në dhjetor dhe prokurorët nuk kanë ngritur asnjë kallëzim penal.