Mjeku Edmond Gashi u arratis pasi Gjykata e la në arrest shtëpie?! Zbulohet se çfarë ndodhi
Gjykata e Tiranës ka reaguar pas një video të publikuar sot ku mjeku Edmond Gashi, në hetim për skandalin në spitalin Onkologjik, ja mbath vrapit pas seancës gjyqësore.
Në një njoftim për mediat, Gjykata bën me dije se Edmond Gashi është larguar me vrap i pashoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit, nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme).
“Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim Edmond Gashi, do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.
Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me radhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qenë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qenë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit”,- informon Gjykata e Tiranës.