Një prej figurave kryesore të krimit në Shqipëri! Kush është “Niçja” i Shijakut që ra sot në pranga
Astrit Avdylaj, një emër i njohur në botën e krimit në Shqipëri, është arrestuar sot nga forcat speciale të RENEA-s në banesën e tij në Shijak. Ai, i njohur edhe si “Niçja”, është konsideruar drejtues i një grupi kriminal në zonën e Shijakut dhe është kapur me një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak gjatë ndalimit.
Avdylaj ishte në kërkim pas kërkesës së SPAK, për dyshimet se ka qenë pjesë e organizimit të kushteve për vrasjen e Durim Bamit. Komunikimet e regjistruara në aplikacionin “Sky” tregojnë se ai kishte kontakte të rregullta me ish-deputetin Arben Ndokën dhe ofronte ndihmën e tij në realizimin e planit për ekzekutimin e Bamit. Avdylaj dërgoi nipin e tij, Aldo Avdylin dhe Arben Mërkurin, te Ndoka për të realizuar këtë qëllim kriminal.
Përveç kësaj, Avdylaj akuzohet edhe për organizimin e futjes së nipit të tij nga Mali i Zi në Shqipëri në mënyrë ilegale, me qëllim që ky i fundit të realizonte vrasjen dhe të kishte më pas alibi.
Astrit Avdylaj është një person i njohur për autoritetet, pasi është përfshirë më parë në trafikun e drogës dhe akte kriminale kundër jetës. Arrestimi i tij sot shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e policisë shqiptare për të goditur grupet kriminale të organizuara dhe për të forcuar rendin dhe ligjin në vend.
Avdylaj aktualisht është nën hetim nga prokuroria e Kurbinit, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbërthyer plotësisht veprimtarinë e tij dhe të përfshirëve të tjerë në skemën e kriminalitetit.