“Nuk mund të rrokullisemi se u kapën ca minj”/ Rama flet për zyrtarët e arrestuar: Shyqyr që po kapen

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dhërmi ditën e sotme, ku ka zhvilluar një takim me banorë të zonës.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Rama ka folur tërthorazi dhe për zyrtarët e qeverisë që kanë përfunduar pas hekurave. Ai i cilësoi si “minj” personat të cilët kanë shkelur ligjin, ndërsa shtoi se ‘do ngrihen çarqe akoma më shumë” për t’i kapur.
“Fjalë më shumë përditë ka, baltë më shumë sa të duash. Maskarenjtë nuk mbarojnë, dalin minj nëpër zyrat e shtetit, patjetër. Po dhe kjo kur kapen minjtë të vësh kujën o po bëhet nami. Shyqyr që po kapen, për këtë punë. Minjtë i kap çarku prandaj kemi ngritur dhe do ngremë më shumë çarqe.
Nuk mund të rrokullisemi se u kapën ca minj dhe ti biem njëri tjetrit. Secili ka punën e vet dhe llogarinë e vet për të dhënë. Secili në anën e qytetarëve ka llogarinë e vet për të kërkuar.”-tha Rama.