“O Sali o hero, e gjithë Shqipëria ty të do”/ Këngë, valle dhe fishekzjarrë në selinë e PD (VIDEO)
Pasi janë njoftuar për vendimin e Gjykatës së Apelit ku vula dhe logoja e Partisë Demokratike i kalon grupit të Sali Berishës, disa mbështetës kanë nisur festën në ambientet e selisë blu.
Mes thirrjeve për kreun e PD, Sali Berisha dhe kërcimeve, mbështetësit kanë shprehur kështu entuziazmin për vendimin e gjykatës.
“O Berishë, o hero, krejt Shqipëria ty të do”, dëgjohet të thotë një mbështetës i veshur me kostum me motive tradicionale.
Nga ana tjetër, jashtë selisë së PD janë hedhur dhe fishekzjarrë po në shenjë festimesh për vendimin e Apelit.
Gjykata e Apelit ka marrë vendimin në lidhje me vulën dhe logon e Partisë Demokratike ditën e sotme. Në vendimin e marrë nga Apeli, vula dhe logoja e PD-së i kalojnë komisionit të Rithemelimit dhe kryetar legjitim i PD-së është Sali Berisha. Gjykata e Apelit vendosi mospranimin e ankimimit të Enkelejd Alibeajt duke mos e quajtur atë palë në këtë proces. Kështu Apeli vendosi të njoh vendimin e Shkallës së parë të gjyqtarit Agron Zhukri dhe Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021, që njeh Berishën si kryetarin legjitim të PD-së.