“21 Janari” në duart e SPAK, zbardhet porosia e Altin Dumanit për Prokurorinë e Tiranës: Na dërgoni të plotë dosjen e vitit 2011!

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar këtë të martë se ka regjistruar zyrtarisht procedim penal për vrasjen e protestuesit Aleks Nika më 21 Janar 2011, shkruan newsbomb.al. Të plagosur mbetën dhe shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko e Ilia Papa.

Janë tre vepra të rënda penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal, pasi dyshohet se ato mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

– “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.

– “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;

– “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.

Duke vlerësuar informacionet e përftuara dhe të administruara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe pas njoftimit të datës 15.07.2024 të bërë nga prokurori i çështjes, Altin Dumani ka vendosur që SPAK të nisë hetimet.

Në këto kushte, kryeprokurori i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës që t’i vërë në dispozicion dosjen e plotë, në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011 të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Konkretisht, Altin Dumani në cilësinë e drejtuesit të SPAK i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës:

– Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

– Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

– Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT