Sali Berisha thyen sërish masën e ‘arrestit shtëpiak’, pret në banesë ish-kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu
Sali Berisha është në arrest shtëpie që prej fundit të dhjetorit të kaluar dhe masa e sigurisë i ndalon komunikimin me persona të tjerë, përveç atyre me të cilën jeton, por ish-kryeministri nuk ka nguruar që ta thyejë këtë rregull herë pas here.
Berisha ka pritur në banesën e tij gjatë ditës së djeshme ish-kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu.
Vetë Berisha nuk ka bërë asnjë postim mbi pritjen e ish-homologut turk në shtëpinë e tij, për shkak edhe të vendimit të gjykatës që i ndalon takimet me të tjerët, ndërsa imazhet janë shpërndarë nga stafi i Davutogluse.
Mësohet se Davutoglu pati edhe një takim me ish-Presidenti Ilir Meta duke marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Partia e Lirisë.
Ahmet Davutoglu konsiderohet si arkitekti i idesë së Neo Otomanizmit të shprehur përmes librit të tij Thellësia Strategjike.
Kjo strategji u aplikua na Ballkan për të paktën një dekadë e gjysmë në rajon sa Erdogan dhe Davutoglu bashkëqeverisnin duke nxitur madje edhe krijimin e partive me rrënjë islamiste në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kjo është e disata herë që Berisha pret në shtëpi persona që nuk janë familjarë, duke kundërshtuar urdhrin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Më parë Berisha u takua me gazetarin e Rait, ish-eurodeputetin gjerman të CDU-së, Elmar Brok, gjithashtu dhe me aktorin Çun Lajçi.