SKANDALI përfshin kombëtaren shqiptare/ Mediat gjermane: Anëtari i stafit ngacmoi seksualisht punonjësen

Kombëtarja shqiptare e futbollit është përfshirë nga një skandal, në lidhje me një rast të mundshëm ngacmimi seksual.
Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, dyshohet se akti ka ndodhur në qendrën sportive Kamen-Kaiserau, ku ekipi shqiptar u akomodua përgjatë rrugëtimit në Euro 2024. Dyshohet se një anëtar i stafit të kombëtares ka ngacmuar seksualisht një punonjëse të hotelit.
Ende nuk bëhet i ditur identiteti i personit të dyshuar, por raportohet se ai ka qenë supervizor. Dyshohet se ai ka kapur prej krahu punonjësen dhe e ka prekur më pas në vende intime pa dëshirën e saj.
Prokuroria publike nuk ka dhënë asnjë informacion për shëndetin e gruas, teksa vijon hetimi për të zbuluar deri në çfarë mase i akuzuari ka vepruar kundër vullnetit të gruas. Aktualisht nuk ka një urdhër arresti. I akuzuari, i cili nuk është as lojtar, as trajner dhe as zyrtar, është kthyer në Shqipëri.