Trump i jep premtimin Zelensky-t: Do të sjell paqe në botë dhe do t’i jap fund luftës që ka kushtuar…

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që kandidon për zgjedhjet presidenciale, ka telefonuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të premten.
Trump u zotua se do t’i japë fund luftës në Ukrainë para se të marrë detyrën në janar nëse fiton zgjedhjet e 5 nëntorit.
“Si presidenti i ardhshëm do të sjell paqe në botë dhe do t’i jap fund luftës që ka kushtuar shumë jetë njerëzore dhe shkatërroi shumë familje të pafajshme”, i tha ish-presidenti amerikan, Zelenskyt gjatë telefonatës, të cilën e ka shpjeguar në rrjetet sociale.
“Ai më përgëzoi për konventën e republikanëve dhe që mora nominimin për t’u bërë kandidati Republikan. Ai dënoi atentatin e tmerrshëm të së shtunës së kaluar. Unë e vlerësoj që më keni kontaktuar, sepse, si presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, unë do të sjell paqe në botë. Të dyja palët do të bashkohen dhe do të negociojnë një marrëveshje që do t’i japë fund dhunës dhe do të hapë rrugën për prosperitet”, shkruan ish-presidenti Trump.