“Vitin tjetër do mirëpresim…”/ Rama jep lajmin e mirë: Deri dje shikoheshim si periferi e prapambetur ballkanike

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ditën e djeshme ka marrë pjesë në samitin e liderëve evropianë që u mblodh në Oksford në pallatin Blenheim, vendlindjen e udhëheqësit britanik të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Uinston Churchill.
Kreu i qeverisë ka zhvilluar takime me liderë të ndryshëm dhe personalitete të shquara të politikës, përfshirë këtu edhe mbretin Charls.
Mëngjesin e sotëm, Rama ka postuar një video në rrjetet e tij sociale, ku tregon momentet me pikante nga takimet që ka bërë dhe jep lajmin e mirë se vitin tjetër Shqipëria do të mirëpresë Samitin e Komunitetit Politik Europian.
Sipas kryeministrit, ky është një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë.
“Mirëmëngjesi dhe me lajmin e bukur se Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian, si një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.