Dosja e SPAK: Erzen Breçani ndihmoi Nuredin Dumanin të fshihej nga policia, ndërsa ishte në kërkim!

Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen e ish-zyrtarit të lartë të policisë, Erzen Breçanit, ish-shefit të krimeve Dedan Gjonit dhe të pandehurve të tjerë.

Nga hetimet SPAK ka provuar se Breçani ka ndihmuar Nuredin Dumanin, të pendurin e drejtësisë, për t’u fshehur nga policia, gjatë kohës që ai ishte në kërkim.

Ndërsa të pandehurit Bujar Ajeti dhe Adrian Cenaj akuzohen se kanë strehuar Dumanin.

“Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata. I pandehuri Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione Bujar Ajetit si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore”, thuhet në dosjen e SPAK.

Kush është Bujar Ajeti?

Bujar Gërmizi (Ajeti) u arrestua në nëntor 2023 dhe njihet një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Kukës.

Bujar Gërmizi akuzohet për krijimin e kushteve për vrasje dhe grupi i tij kriminal ku bënte pjesë u zbërthye përmes aplikacionit “SKY Ecc”

Përgjimet nga dosja e hetimore e grupit kriminal, zbuluan planet e Ismail Zenelit për eliminimin e dy vëllezërve Albert e Edmond Nela, të cilët jetojnë në Britani.

Ismail Zeneli i cili më herët ka pasur emrin Luan Sadria dyshohet se porositi vrasjen e dy vëllezërve, të cilët dyshoheshin se në 2013 ne Britani kishin vrarë Guximtar Sadrinë vëllain e Luan Sadrisë, i cili atje kishte emrin Xhem Krasniqi.

Në shenjë hakmarrje ai kërkon eliminimin e tyre dhe këtë e merr përsipër Bujar Gërmizi, i arrestuar nga policia me urdhër të SPAK që goditi një grup kriminal pas zbërthimit të aplikacionit “Sky”.

Sipas dosjes hetimore, ish-shefi i krimeve të Rënda, Dedan Gjoni kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e dy vëllezërve, tenton t’ju vërë GPS në makinë, ndërsa nxjerr nga sistemi TIMS të dhënat për Albert dhe Edmond Nelën.

Vrasja nuk realizohet, pasi nuk arrijnë t’i gjejnë vendndodhjen e dy vëllezërve. Ndërkohë, Ismail Zeneli rezulton person kyç në trafikun e drogës nga Brazili dhe Ekuadori në drejtim të vendeve të BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me Eralbi Breçanin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT