Filmoi viktimën e gjakosur dhe videon ia dërgoi kunatit/ Si u largua me taksi autori i plagosjes në Tiranë, kush e ndihmoi

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me plagosjen e ndodhur në zonën e Komunës së Parisit, ditën e djeshme, ku efektivi Erion Goxhara plagosi me disa plumba shtetasin Lorenc Kosta.

Sipas hetimeve ka rezultuar se pas ngjarjes autori e ka xhiruar me celular të plagosurin dhe videon ja ka dërguar kunatit të tij. Po ashtu, menjëherë pas ngjarjes polici ka telefonuar djalin e tij duke i kërkuar ta priste tek rrethi i Shkozës, ku pasi kanë marrë një taksi kanë lëvizur drejt zonës së Freskut.

Rrugës në taksi, Goxhara ka biseduar në telefon me drejtues policie duke refuzuar të dorëzohet madje duke u shprehur “Më mirë vras vetën se të kalbem në burg”.

Në zonën e “Freskut” ai është dalluar nga disa punonjës policie civil të cilën e kanë ndjekur me vrap por polici i kufirit ka arritur të largohet.

Po ashtu, sipas hetimeve rezulton se polici Erjon Goxhara në muajin korrik ka telefonuar inxhinierin Lorenc Kosta duke e kërcënuar me jetë për motive xhelozie.

Ngjarja e rëndë dyshohet se erdhi pas një konflikti për motive të dobëta që punonjësi i policisë së kufirit, Erjon Goxhara kishte me të plagosurin, pasi bashkëshortja e efektivit dyshohet se kishte lidhje intime me të.

Efektivi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë, akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Policia njofton se forcat RENEA vijojnë kërkimet për kapjen Goxharës ndërkohë që është vënë në dispozicion dhe një shpërblim prej 10 mijë euro për këdo që jep informacion për vendndodhjen e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT