FOTO/ I nderuar me titullin “Qytetar Nderi”, kush ishte 78-vjeçari që vrau shokun e dhomës në azil

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur në një azil privat në Tiranë, ku Zyhdi Shehu, dhunoi për vdekje me bastun shokun e dhomës, Virxhil Veshon.
Mësohet se autori 78-vjeçar Zyhdi Shehu ka qenë historian dhe “Qytetar Nderi” i Kavajës. Por pas problemeve me sklerozën, ai para 1 viti është dërguar në azilin e pleqve.
Sipas biografisë së botuar edhe në Facebook, Zyhdi Shehi është diplomuar në Institutin Pedagogjik të Shkodrës për Gjuhë-Letërsi e më pas ka mbaruar me korespondencë edhe Fakultetin Filologjik të Tiranës, po për Gjuhë-Letërsi.
Pas një periudhe pune si mësues, në vitin 1982 ai nisi punën në Muzeun Historik të Kavajës. Në vitin 1996, pas botimeve të artikujve të shumtë në fushën e historisë dhe etnografisë së zonës, del me librin e parë, monografinë kushtuar patriotit kavajas, Ahmet Bejtaga. Më pas, në vitin 2000, monografinë Andrea Ekonomi, “Mësues i Popullit”, “Kavaja, figura të shquara historike” 2005, “Indrit Cara”, 2007, “Inxhinjeri Jani (Xhuf) Koljaka, e Diplomati Stavro Stavri”, etj. Për merita në punë i është dektretuar në vitin 1990 edhe medalja “Naim Frashëri”.
Në orët e para të ditës së sotme, ai ka qëlluar disa herë me shkop shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho, duke i shkaktuar atij vdekjen.
Shkak për sherrin mes tyre është bërë krevati, pasi 78-vjeçari pretendonte se Virxhil Vesho ia kishte zënë. 78-vjeçari i është drejtuar shokut të dhomës duke i thënë “Pse më ke zënë krevatin?”. Më pas ai e ka goditur disa herë me bastun 82-vjeçarin në disa pjesë të trupit dhe në kokë. Si pasojë e dëmtimeve të mara, Virxhil Vesho ka ndërruar jetë në vendngjarje.