Luan Baçi “tradhton” Berishën: Nuk e drejton dot partinë i izoluar në shtëpi, në shtator PD do të mbledhë strukturat

Deputetët e Partisë Demokratike, e kanë kuptuar dhe një herë pas humbjeve të zgjedhjeve në Himarë se me Sali Berishën nuk fitojnë dot kundër Edi Ramës.
Deputeti Luan Baçi u shpreh me rezerva për punën e bërë nga kolegët e tij në rolet drejtuese në PD, duke theksuar se informacioni i kufizuar për shkak të “arrestit në shtëpi”, e pengon Sali Berishën që të drejtojë partinë në sfidat e saj.
“Të gjitha këto boshllëqe që janë krijuar, është paaftësi e drejtuesve të PD në mungesë të kryetarit. Drejtuesve të PD, këtu fus edhe veten. Berisha nuk ka mundësi fizike duke qenë i izoluar në banesën e vetë. Kontakti i tij është vetëm nëpërmjet bisedave, mediave dhe takimeve të përnatshme aty.
Por edhe sikur ta ketë këtë mundësi 100% kontakti fizik dhe dalja në terren e kryetarit të PD nuk mund të barazohet me daljen në terren të dy, tre pesë, apo dhjetë drejtuesve të PD poshtë nivelit të kryetarit.
Pas zgjedhjeve të bashkisë së Himarës, pas grabitjes së tyre, një shembull tjetër që ne duhet ti thërrasim mendjes që të gjithë se me një kryeministër të tillë nuk mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nuk mund të garantojmë fitoren e demokratëve, të mos i mashtrojmë ata.
Jo pa qëllim, PD dhe kryetari Berisha e ka artikuluar në çdo dalje të tij se pa qeveri teknike nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe kjo do jetë një nga kushtet kryesore që opozita do të ketë dhe duhet ta ketë.
Me muajin shtator PD do të mbledhë strukturat e saj, do të analizojë gjendjen e brendshme të PD në të gjitha seksionet, grupseksionet dhe deri te kryetarët e degëve dhe Kryesia. Ne do të kemi planin tonë për tu përballur me këtë regjim“, – tha ai në studion e “Ditarit” në A2 CNN.